Arratisja e bujshme për herë të katërt e shqiptarit/ SYRI sjell fotot ekskluzive nga burgu i sigurisë së lartë në Milano

Nga Alba Kepi

Vazhdojnë kërkimet intensive për Taulant Toma, 41 vjeç, shqiptar, i cili është arratisur për herë të katërt nga burgu me siguri të lartë i Milano Operas. Arratisja ndodhi gjatë natës midis 6 dhe 7 dhjetorit, ku Toma dyshohet se ka prerë hekurat e dritares dhe ka zbritur me çarçafë të lidhura.

SYRI TV sjell foto ekskluzive nga vendi i arratisjes, duke treguar zonën dhe muret e larta të burgut nga ku u largua 41-vjeçari. Hetuesit po analizojnë telekamerat e sigurisë për të kuptuar mënyrën dhe oraret e arratisjes, si dhe për të kuptuar se si ai arriti të kalojë murin rrethues, i cili është rreth gjashtë metra i lartë.

Taulant Toma ishte dënuar për krime të ndryshme, përfshirë vjedhje me dhunë dhe arratisje të mëparshme nga burgu. Ai ishte një nga të paktët të cilët kishin arratisur disa herë nga burgu, duke rikthyer kujtime edhe tek qyteti i Ternit, ku u arratis për herë të parë në vitin 2009 nga burgu i Sabbione, gjatë një ndeshjeje futbolli brenda qelisë. Kërkimet atëherë zgjatën javë me radhë dhe përfshinin helikopterë dhe njësitë me qentë e trajnimit. Ai u kap më vonë në një shtëpi të braktisur në provincën e Pavia-s.

Më pas, ai u arratis edhe dy herë të tjera në vitin 2013: në shkurt nga burgu i Parma-s së bashku me një bashkëkombës dhe më pas u arrestua në Belgjikë në shtator, vetëm që të arratisej sërish nga burgu i Lantin afër Liège në dhjetor të po atij viti.

Sa i përket dënimit, mediat raportojnë se ai është dënuar për periudha të gjata burgimi, duke përfshirë krime të rënda, dhe se dënimi i tij i mbaronte në 2048.

Rastet e arratisjeve të Taulant Toma kanë tërhequr vëmendje të madhe mediatike në Itali dhe jashtë saj, duke u konsideruar ndër më dramatiket e viteve të fundit në sistemin penitenciar italian.