EMRI/ Ekstradohet nga Spanja 46-vjeçari i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje në Berat

Një 46-vjeçar është ekstraduar nga Spanja në Shqipëri, pasi dyshohet se në maj të vitit 2023, në bashkëpunim me tre persona të tjerë, tentoi të kryente një vrasje në qytetin e Beratit.

Koordinimi mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit çoi në finalizimin e operacionit të koduar “The Wanted”, duke mundësuar rikthimin në vend të Ermal Gora, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.

Ngjarja kriminale, sipas hetimeve, u parandalua falë ndërhyrjes së Policisë së Beratit në kuadër të operacionit “Objektivi”. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme.