Gjenden dy trupa të pajetë në det, presidenti kolumbian: U vranë nga sulmet e SHBA-së

Presidenti kolumbian, Gustavo Petro ka bërë thirrje që të nisë një hetim të dielën pasi dy trupa të pajetë u gjetën në det pranë një fshati në kufirin e Kolumbisë me Venezuelën. Petro ka ngritur dyshime se dy trupat mund të kenë qenë viktima të një sulmi ajror amerikan në Karaibe.

“Këta trupa u gjetën në det në La Guajira,” tha Petro nëpërmjet X. Ai u bëri thirrje autoriteteve kolumbiane të mjekësisë ligjore të verifikojnë identitetin e tyre dhe të koordinojnë veprimet e tyre me zyrën e prokurorit të Venezuelës.

“Ndoshta ata u vranë për shkak të një bombardimi në det”, shtoi presidenti socialdemokrat.

Një zëdhënës i policisë venezueliane konfirmoi se dy trupa ishin gjetur të enjten, por shtoi se shkaqet e vdekjes nuk ishin përcaktuar ende.

Ushtria amerikane ka nisur sulme ajrore që nga fillimi i shtatorit kundër anijeve që sipas tij janë përdorur nga trafikantët e drogës, kryesisht në Karaibe. Të paktën 87 persona janë vrarë në sulme, sipas deklaratave të SHBA-së.

Presidenti Petro ka kritikuar politikën e homologut të tij amerikan Donald Trump për të luftuar trafikun e drogës, e cila synon konkretisht Venezuelën. Petro gjithashtu akuzon homologun e tij amerikan se po ndërhyn në çështjet politike të vendit të tij për të ndikuar në opinionin publik në mënyrë që e majta të rrëzohet nga pushteti në zgjedhjet e vitit 2026.