VIdEO/ Real Madridi tronditet në ‘Bernabéu’, e mposht me dy gola Celta Vigo, Barcelona shkëputet +4 në krye
Real Madridi pësoi një goditje të rëndë në garën për titull, duke u mundur 2-0 në “Santiago Bernabéu” nga një Celta Vigo e organizuar dhe cinike, ndërsa Barcelona e Hans Flickit përfiton maksimalisht duke u shkëputur me +4 pikë në krye të La Liga-s. Një mbrëmje zhgënjyese për ekipin e Xabi Alonsos, i cili gaboi shumë në fazën finale dhe humbi kontrollin në pjesën e dytë.
Real Madridi nisi më mirë, duke pasur dy raste të arta. Arda Güler humbi një mundësi të pastër në minutën e 16-të pas një depërtimi brilant, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, Jude Bellingham goditi drejt portës por pa rrezik. Madrilenët u goditën rëndë në minutën e 24-të, kur Eder Militao u detyrua të largohej i dëmtuar, duke i shkaktuar skuadrës tjetër tronditje në prapavijë.
Rasti më i madh i pjesës së parë mbërriti në minutën e 38-të, kur Mbappé shërbeu në mënyrë perfekte për Güler-in, por turku goditi jashtë. Në shtesën e pjesës së parë, Vinicius u ndal nga një pritje fantastike e portierit Radu, i cili mbajti në lojë Celta-n.
Goditja e parë e rëndë erdhi në minutën e 54-të: Williot Swedberg, i futur në pjesën e dytë, realizoi një gol spektakolar me thembër, duke shokuar “Bernabéun”.
Pas golit, Real Madridi humbi qetësinë. Fran García u përjashtua me karton të kuq në minutën e 64-të, ndërsa shpejt pas tij kartonë të verdhë morën Bellingham, Rodrygo, Valverde e madje edhe trajneri Xabi Alonso.
Me gjithë rastin e Mbappé-së në minutën e 74-t dhe një tentativë me kokë të Gonzalo Garcías në minutën e 87-të, loja mori fund në shtesë: Swedberg, sërish i pamëshirshëm, fitoi duelin me portierin dhe vulosi 2-0 në një kundërsulm të shpejtë.
Një humbje që ndez alarmet te Real Madridi, ndërsa Barcelona fiton qetësi dhe avantazh të rëndësishëm në garën për titull.