Të rinjtë në protestë pas tragjedisë së Erjon Bobës: Kërkojmë më shumë siguri

Një grup të rinjsh u mblodh sot në qendër të qytetit të Bulqizës për të protestuar në mënyrë paqësore, pas humbjes tragjike të bashkëmoshatarit të tyre, Erjon Boba.
Me pankarta në duar dhe me heshtje simbolike, ata kërkuan më shumë siguri, mbrojtje dhe vëmendje ndaj problemeve me të cilat përballen të rinjtë sot.

“Të rinjtë duhet të ndihen të sigurt kudo,” tha një nga pjesëmarrësit, duke theksuar se protesta nuk është vetëm për viktimën, por për të gjithë komunitetin. Protestuesit kërkuan që institucionet të marrin masa më të forta për parandalimin e konflikteve, ofrimin e mbështetjes psikologjike dhe krijimin e hapësirave ku të rinjtë mund të shprehen e të kërkojnë ndihmë.

Protesta u zhvillua qetësisht, duke u kthyer në një thirrje të fuqishme për reflektim dhe ndryshim. Të rinjtë shprehën solidaritetin e tyre me familjen e viktimës dhe përsëritën kërkesën që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Barie Boba, një e afërme e familjes Boba, dha një mesazh të qartë për ngjarjen dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen, në rolin e edukatores dhe të prindit.

Si nisi sherri mes Erjon Bobës dhe 14-vjeçarit në Durrës?

15-vjeçari Erjon Boba u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pranë zemrës, rreth orës 14:00 të 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Sherri mes Erjonit dhe 14-vjeçar me inicialet M.K nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë.

Dyshohet se 15-vjeçari Erjon Boba e kishte marrë në telefon autorin 14-vjeçar për të kërkuar sqarime, pasi kishte dëgjuar se ai e shante vazhdimisht në shkollë. Ata u dakorduan të takoheshin për tu sqaruar, ku të pranishëm kanë qenë dhe shokë të tjerë të dy palëve, të cilët janë marrë në pyetja nga policia për ngjarjen e rëndë.

Por takimi i tyre përfundoi me një sherr, ku 14-vjeçari me inicialet M.K e goditi Erjon Bobën katër herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda edhe në zemër. Pas plagosjes, Boba u dërgua urgjent në spitalin "Nënë Tereza" dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, ku humbi jetën pas 9 ditësh në luftë me jetën.