Barazim në kryeqytet mes Prishtinës dhe Ferizajt, fitore e thellë e Gjilanit
Në Superligën e Kosovës u zhvilluan sot dy sfida me ritëm të lartë dhe ngarkesë të madhe emocionale. Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina dhe Ferizaj u ndanë në paqe 1-1. Pjesa e parë u mbyll 0-0, pavarësisht disa rasteve të mira nga të dy krahët.
Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 51-të me një goditje të saktë me kokë nga Mario Ilievski, por epërsia zgjati vetëm nëntë minuta. Jakup Berisha barazoi nga penalltia, duke vendosur rezultatin përfundimtar.
Ferizaj ishte shumë pranë fitores në sekondat e fundit, por goditja e Shabanit përfundoi pranë shtyllës. Me këtë barazim, Prishtina ngjitet sërish në vendin e dytë me 27 pikë dhe një ndeshje më pak, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me 16 pikë. Në xhiron e ardhshme, Prishtina luan me Ballkanim jashtë, ndërsa Ferizaj sfidon Drenicën në Skenderaj.
Ndeshja tjetër e ditës prodhoi spektakël në Gjilan, ku skuadra vendase triumfoi bindshëm 3-0 ndaj Llapit. Takimi mori kthesë të menjëhershme kur kapiteni i Llapit, Axel Gnapi, u përjashtua me karton të kuq që në minutën e tretë. Megjithatë, pjesa e parë u mbyll pa gola.
Gjilani shpërtheu në pjesën e dytë: Sabit Bilali zhbllokoi rezultatin në minutën e 47-të, ndërsa Mevlan Adili e dyfishoi atë dhjetë minuta më vonë me një goditje të saktë në zonë. Në minutën e 87-të, Senad Jarovic vulosi fitoren 3-0, duke i dhënë ekipit të Debatik Currit tri pikë të vlefshme. Me këtë triumf, Gjilani ngjitet në vendin e gjashtë me 22 pikë, ndërsa Llapi mbetet i shtati me 20. Në xhiron e radhës, Gjilani përballet me Dritën në derbin lokal, kurse Llapi pret Malishevën në Podujevë.