Lando Norris shkruan historinë: Oh, Zot, ia dolëm! Ju dua… Mami, të dua! Emocionet e kampionit të ri të botës në F1

Lando Norris është kampioni i ri i Formula 1. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, të mbushur me emocione, duele të forta dhe kthesa të papritura, piloti britanik i McLaren-it arriti më në fund titullin e parë në karrierë. Dhe e bëri në mënyrën më dramatike të mundshme: gjithçka u vendos në 300 kilometrat e fundit të kampionatit.

Në komunikimin e parë me skuadrën, sapo kaloi vijën e finishit, Norris nuk i fshehu emocionet:

“Oh Zot, e bëmë historinë. Faleminderit, djema! Mami, të dua… Nuk po qaj…”, u dëgjua nga radioja. Por pak sekonda më vonë ai vetë pranoi se emocionet kishin shpërthyer:

“Nuk mendoja se do të qaja, por po qaj. Dhe jam krenar që kam bërë shumë njerëz të lotojnë. Ka qenë një rrugëtim i gjatë, falënderoj ekipin dhe familjen time që më ka mbështetur që në fillim. Është një gëzim që të çmend.”

Para tifozëve dhe kamerave, kampioni i ri foli për rivalët e tij direkt të sezonit:

“Ndjesi fantastike. Urime Oscar-it dhe Max-it, ka qenë nder të luftoj me ta. Kam mësuar shumë. Ishte një vit i gjatë, por ia dolëm.”

Norris tregoi se gjatë garës kishte provuar të mos mendonte për titullin, për të mos humbur fokusin:

“E dija që gara do të ishte e gjatë, në F1 mund të ndodhë gjithçka. Në fund rrita ritmin sepse doja të luftoja deri në metër të fundit. Jam thjesht i lumtur.”

Sa i përket hetimit ndaj tij për një parakalim të guximshëm ndaj Tsunodës, britaniku u shfaq i qetë:

“Nuk isha i shqetësuar, e dija që gjithçka e kisha bërë në mënyrë korrekte. Ka qenë një rrugëtim i gjatë me McLaren-in, kemi kaluar momente shumë të vështira, por ja ku jemi.”

Në fund, para turmës që e brohoriste, Norris e përmbylli me një mesazh që përmbledh gjithë sezonin e tij të jashtëzakonshëm:

“E pabesueshme, surreale. E kam ëndërruar gjithçka që nga fëmijëria. Arrita të rikuperoj, të kaloj në avantazh dhe të jap performancat që duheshin për titull. Performancat e mia më të mira kanë ardhur pikërisht atëherë kur gjërat nuk kanë shkuar siç donim.”

McLaren dhe Formula 1 sapo kanë hyrë në një epokë të re. Lando Norris, kampion bote për herë të parë, e ka shkruar historinë.