Bylisi dhe Teuta ndajnë pikët në një sfidë dramatike me VAR, gola dhe emocione deri në fund
Ndeshja e javës së 15-të të Superiores midis Bylisit dhe Teutës, e luajtur në stadiumin “Adush Muça”, u mbyll me barazimin 1-1. Përballja u karakterizua nga ngarkesë emocionale, një gol i anuluar, gabime vendimtare dhe dy realizime në shtatë minuta.
Pjesa e parë ishte e kujdesshme nga të dyja skuadrat. Ritëm i ulët, pak raste dhe shumë balancë mes repartesh, çka solli mbylljen e 45 minutave të para pa gola. Emocionet nisën menjëherë sapo startoi fraksioni i dytë.
Në minutën e 55-të Bylisi gjeti rrugën e rrjetës, por dueli u ndal për rishikim në VAR. Pas analizës, arbitri Enea Jorgji vendosi të anulonte golin, duke ndezur diskutime te vendasit. Vetëm pak minuta më vonë, ndeshja mori tjetër ritëm.
Në minutën e 75-të, Teuta përfitoi nga një gabim i rëndë në prapavijën ballshiote. Bruno u ndëshkua nga mungesa e saktësisë në kontrollin e topit dhe Boçi, i vëmendshëm, shënoi golin e avantazhit për durrsakët.
Por gëzimi i miqve zgjati vetëm gjashtë minuta. Në minutën e 81-të, këtë herë ishte Teuta që gaboi në mbrojtje dhe Mustafa reagoi shpejt, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke vendosur baraspeshën 1-1, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.
Me këtë barazim, Bylis shkon në 14 pikë dhe qëndron në vendin e tetë, ndërsa Teuta arrin kuotën e 23 pikëve, duke mbajtur pozicionin e katërt në tabelë. Një pikë që vlen, por që shoqërohet me keqardhje për skuadrën durrsake, e cila e kishte ndeshjen në kontroll pas golit të Boçit.