'Paqja që vret'/ Goditja ndaj drejtësisë dhe ekonomisë
Nga Luçiano Boçi
Për t’ia hedhur botës, Rama termin amnisti fiskale e zëvendësoi me paqje fiskale. Nuk është çështje gjuhësore, por qëndrim i institucioneve financiare dhe politike të BE-së. Në thelb, në tërësinë e vet, paqja dhe amnistia e kundërshtuar janë e njëjta gjë, e shprehur ndryshe.
Të dyja vrasin njësoj dhe me të njëjtën mënyrë e hapësirë.
Së pari, vret drejtësinë dhe konkurrencën e lirë.
Me shpalljen e saj, tatimpaguesit korrektë shpallen zyrtarisht budallenj, ndërsa mashtruesit e abuzuesit, “kreativët” që nuk kanë paguar taksat, marrin shpërblim.
Thënë më pastër: biznesi i ndershëm del nga tregu, sepse s’mund të konkurrojë me ata që kanë operuar pa kosto tatimore.
Së dyti, vret besimin. Mesazhi i saj është i rrezikshëm: “Mos paguani sot, sepse do t’ju falim nesër.”
Së treti, pastron para dhe nxit ekonominë informale. Shqyen derën për paratë e drogës dhe të korrupsionit ekzekutiv. Favorizon të fortët që duan para të pastra, duke shtuar pastrimin. Dëmton reputacionin ndërkombëtar dhe rrit koston e financimit të ekonomisë.
Së katërti, vret institucionet financiare. Tatimet duken të pavlefshme, rregullat humbin kuptimin dhe shteti shihet si i padrejtë dhe i kapur.
Ka rënie të disiplinës fiskale dhe rritje të evazionit.
Së pesti, vret kreditimin dhe formalizimin. Do të kemi më pak kredi, më pak investime, më pak rritje.
Së gjashti, vret marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare. FMN dhe BE kanë alergji të rëndë ndaj amnistive fiskale, për një arsye të thjeshtë: ato shkatërrojnë disiplinën buxhetore, ulin transparencën, shtrembërojnë statistikat fiskale.
Së shtati, krijon varësi politike. Amnistia është përdorur e po përdoret si instrument elektoral, si mjet për t’i bërë qejfin grupeve të caktuara dhe bandave të krimit të organizuar.
Qartazi, paqja fiskale nuk sjell zhvillim, por ul të ardhurat, godet konkurrencën, rrit informalitetin, dëmton imazhin e vendit dhe përforcon korrupsionin.
Është amnisti për të padrejtët dhe dënim për të ndershmit.