'Pa Rusinë në tryezë nuk mund të ketë paqe reale'/ Braci: Lufta në Ukrainë po zbulon edhe dështimin e sigurisë europiane

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Melisa Braci, e ftuar në edicionin e mesditës në Syri TV me moderatorin Edvin Parruca, deklaroi se format e fundit të ndërhyrjeve dhe sulmeve po ndodhin me një frekuencë të pazakontë, çka sipas saj ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë europiane.

Braci u shpreh se këto ndërhyrje mund të vijnë kryesisht nga Rusia, por nuk përjashtoi as mundësinë e dështimeve të sistemit të sigurisë apo edhe një lloj bashkëpunimi mes shteteve. Ajo theksoi se nuk dëshiron të bjerë në teori konspirative, por shtoi se ngjarje të tilla nuk mund të përsëriten kaq shpesh pa një shkak më të thellë.

Sipas saj, këto veprime janë pjesë e një strategjie lufte dhe shihen si të pranueshme nga pala që lufton, me synimin për të krijuar presion dhe për t’u ulur në tryezën e negociatave. Braci ngriti pikëpyetje mbi aftësinë e Bashkimit Europian për t’u vetëmbrojtur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar mungesën e fondeve, rënien ekonomike dhe vështirësitë në bashkëpunimin politik brenda BE-së, si edhe pasojat e largimit të Britanisë së Madhe.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Braci përmendi se vetëm brenda një nate ishin lëshuar rreth 635 dronë, nga të cilët mbi 500 u shkatërruan nga pala ukrainase, një fakt që sipas saj ishte befasues.

Sa i përket paqes, ajo u shpreh se negociatat reale mund të vijnë vetëm përmes një tryeze ku të jenë të përfshira SHBA, Rusia dhe Bashkimi Europian, ose SHBA, Rusia dhe Ukraina. Braci theksoi se Rusia nuk pranon të mbetet jashtë tryezës së negociatave, duke nënvizuar parimin se “nëse nuk je në tavolinë, je në menu”.

Më tej, ekspertja shtoi se edhe nëse arrihet një marrëveshje mes SHBA-ve dhe Rusisë, pa pranimin e Ukrainës dhe Bashkimit Europian nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, ndërsa përmendi mundësinë që, në kuadër të planeve të diskutuara, Rusia të mbajë territoret e uzurpuara deri tani, ndërsa Ukraina të kompensohet me përfitime ekonomike.

Braci:

Rusia ka gjetur këto mënyra të reja të të ndërhyrjes. Por që  mund të jenë nga Rusia, shumica, por mund të jenë edhe dështime të sistemit të sigurisë.

Po them me idenë që domethënë mund të ketë edhe një lloj bashkëpunimi midis shteteve, nuk i dihet. Nuk dua të arrij në ato pika të që të bëj këto lloj konspiracionesh, por që  ose është dështim i sigurisë kombëtare europiane, ose është edhe një lloj bashkëpunimi sepse nuk mund të ndodhin në këto lloj frekuence siç po ndodhin tani.

Domethënë mund të ndodhi një herë, dy herë, por jo në këto lloj frekuencash. Megjithatë që këto bëjnë pjesë në këto lloj sulmesh bëjnë pjesë në një strategji lufte, është e pranueshme për për atë që po lufton sepse do provojë në të gjitha mënyrat që të ulet në atë tryezë.

Se sa arrin Bashkimi Europian që të vetëmbrohet pa mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është shumë më përpara në këtë aspekt, nuk e di sepse ka mungesa fondesh. Ajo që i mungon më shumë Bashkimit Europian, përveç bashkëpunimit politik që këto vite nuk po ecën aq mirë, është edhe mungesa e fondeve, sepse ka rënë ekonomia dhe Bashkimi Europian ka rënë, duhet pranuar. Gjithashtu, tërheqja dhe largimi i Britanisë së Madhe, është gjithashtu, ka pasojat e veta, po vazhdon t'i t'i provojë.

Unë pashë që mbrëmë për shembull, vetëm mbrëmë, kishin lançuar rreth, 635 dronë në Ukrainë. Por, por duhet pranuar, duhet parë dhe fakti që 500 e ca nga këto dronë pra janë shkatërruar nga nga pala ukrainase. Gjë që mua më bëri çudi të them të drejtën, sepse nuk e prisja deri në këtë pikë.

Përsa i përket palës europiane, po për paqen unë besoj që duhet të pritet, domethënë e vetmja tryezë që besoj unë që do sjellë paqen do të jetë SHBA, Rusi, BE. Ose SHBA, Rusi, Ukrainë. Domethënë po nuk qe Rusia në tavolinë...sepse është një princip i në marrëdhëniet ndërkombëtare që po nuk ishe në tavolinë, je në menu. Dhe Rusia nuk e pranon këtë, nuk do që të jetë në menu. Sepse po ishe në menu, je i humbur. Dhe po nuk ule në tavolinë, gjithashtu je i humbur.

Në rast se, dakord arrihet një marrëveshje midis SHBA-ve dhe Rusisë, po në rast se pala ukrainase bashkë me Bashkimin Europian vazhdojnë të të kundërsulmojnë, nuk do ketë kurrë paqe. Gjithashtu varet tek plani me 28 pika për shembull që ka shpallur Trump, që dështoi në fund të fundit pak a shumë, unë pashë që ishte një pikë, ishte një pikë kyç, domethënë që ka shumë, ka shumë mundësi që Rusia të marrë ato, ato territore që ka uzurpuar deri tani edhe Ukraina të lëshojë dhe të marrë të mira ekonomike.