Sa të sigurta janë dërrasat plastike të prerjes për t’u përdorur?
Një studim i fundit ka shqyrtuar dy lloje dërrasash plastike prerëse: njëra e prodhuar nga polipropileni dhe tjetra nga polietileni.
Kohët e fundit, çështja e sigurisë së enëve të kuzhinës, veçanërisht e dërrasave plastike të prerjes, është bërë gjithnjë e më shqetësuese. Raportet mbi praninë e mikroplastikës në ushqim, ujë dhe madje edhe në ajër kanë shtyrë shumë persona të rishqyrtojnë materialet që përdorin në përditshmëri.
Një nga objektet që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve është dërrasa plastike e prerjes, një mjet praktik dhe i domosdoshëm në shumë familje. Studimi, i cituar nga The Kitchn dhe i raportuar nga Index.hr, synon të hedhë dritë mbi ndikimin e saj të mundshëm në shëndet.
Sa mikroplastikë çlirojnë dërrasat plastike?
Studimi, i botuar në revistën shkencore Ecotoxicology and Public Health, ka vlerësuar sasinë e mikroplastikës që transferohet në ushqim gjatë përdorimit të dy llojeve të dërrasave plastike. Rezultatet treguan se gjatë prerjes së karotave, deri në 1.114 grimca mikroplastike — të përkufizuara si pjesë plastike më të vogla se pesë milimetra — mund të kalojnë në ushqim.
Sipas llogaritjeve, një dërrasë plastike prerëse mund të prodhojë rreth 15 miligramë mikroplastikë për çdo përdorim, që përkthehet në afërsisht 50 gramë në vit. Kjo sasi është e barasvlershme me masën e rreth dhjetë kartave plastike të kreditit.
A përbën rrezik për shëndetin?
Edhe pse këto të dhëna janë shqetësuese, shkenca që studion ndikimin e mikroplastikës në shëndetin e njeriut është ende në fazë fillestare. Studime të ndryshme kanë treguar se mikroplastikat mund të gjenden në gjak, në mushkëri dhe madje edhe në placentë.
Një studim i kryer në Korenë e Jugut në vitin 2022, i bazuar në eksperimente me kafshë, zbuloi se mikroplastikat mund të ndërhyjnë në sistemin tretës, atë të frymëmarrjes, sistemin endokrin dhe atë riprodhues.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes. Alex LeBeau, doktor shkencash dhe higjienist industrial i certifikuar, nënvizon se studimi dëshmon çlirimin e grimcave plastike nga dërrasat e prerjes, por nuk jep prova të drejtpërdrejta mbi dëmin specifik që ato mund të shkaktojnë në shëndetin e njeriut.