SYRI TV/ Rama vijon presionet ndaj GJK, mbron edhe drejtorët e arrestuar: Dy institucione të vendit pa kokë

 

Kryeministri Edi Rama, i dërgoi sërish mesazhe paralajmëruese Gjykatës Kushtetuese, duke i diktuar vendimin lidhur me ankimimin e tij për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Ndërsa shmangu çdo shpjegim për aferën e tunelit të Llogarasë dhe akuzat e prokurorisë, Rama kundërshtoi pezullimin e ministres duke thënë se bëhet i pamundur edhe zëvendësimi i drejtorëve të KESH dhe ARRSH, që janë në arrest, për shkak se e vetmja që ka kompetencë për emërimin e shkarkimin e tyre, është Belinda Balluku.

SYRI TV

Kryeministri Edi Rama ka vijuar të shmangë shpjegimet për akuzat konkrete që SPAK ka bërë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe vartëse të saj, në Ministrinë e Infrastrukturës për aferën e tunelit të Llogarasë. Ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet të japë një vendim javën e ardhshme lidhur me ankimimin e tij për pezullimin e zv.kryeministres, Rama ka vijuar presionet ndaj gjykatës më të lartë të vendit, në një përpjekje për të diktuar vendimin e saj.

Kryeministri Rama ka kundërshtuar edhe mbajtjen në arrest të drejtorit të ARRSH dhe drejtorit të KESH, të cilët bashkë me Ballukun janë të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Edhe në këtë rast Rama shmangu shpjegimet për akuzat konkrete të Prokurorisë dhe nga ana tjetër, me tone dramatike, la të kuptohej se ata janë të pazëvendësueshëm dhe i vetmi person që mund t’i largonte nga detyra është zv.kryeministrja e cila është e pezulluar.

Megjithëse prej një muaji, që kur zëvendësja e tij u mor e pandehur, Rama po komenton vendimet e drejtësisë, pa marrë asnjë veprim për shkarkimin e saj, ende nuk i ka dhënë opinionit publik një përgjigje për pyetjen: A ka shkelur Belinda Balluku barazinë në dy tendera me vlerë 210 milionë euro?