VIDEO/ Aksidentohet furgoni i FNSH në kryqëzimin e Cakranit, 4 të plagosur, tre prej tyre policë

Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme në kryqëzimin e Cakranit, në autostradën Levan–Tepelenë. Një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) është përplasur me një automjet tip veturë, ku për pasojë kanë mbetur të plagosurkatër persona, tre prej të cilëve punonjës policie.

Sipas informacioneve paraprake, në përplasjen zinxhir janë përfshirë edhe mjete të tjera, por fatmirësisht me dëme vetëm materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore të Fierit, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave.

 Burime nga DVP Fier bëjnë me dije se rasti do të hetohet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Informacion paraprak/Rreth orës 11:00, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Cakranit", automjeti me drejtues shtetasin A. Y., ka goditur automjetin e FNSH Fier, me drejtues punonjësin e policisë K. H. Për pasojë është dëmtuar shtetasi A. Y. dhe tre punonjës të policisë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.