Do dalin, por nuk do kthehen: Vendet myslimane kundër planit izraelit për palestinët

Ndërmjetësuesit e Gazës, Egjipti dhe Katari, së bashku me gjashtë vende të tjera me shumicë myslimane, kanë ngritur alarm mbi planin e Izraelit për të hapur njëkahësisht pikën kufitare Rafah, duke lejuar vetëm daljen e palestinezëve drejt Egjiptit, pa lejuar kthimin e tyre dhe duke bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare.- Advertisement -

Paralajmërimi vjen ndërsa lufta izraelite në Gaza vazhdon pa ndërprerje, me rreth 600 shkelje të armëpushimit gjatë shtatë javëve të fundit. Ndërkohë, të shtunën u raportuan tre të vrarë në Beit Lahiya pas sulmeve të reja izraelite.

Ministrat e jashtëm të Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe publikuan një deklaratë të përbashkët të premten, duke shprehur “shqetësim të thellë” për njoftimin e Izraelit se “pika Rafah do të hapet vetëm për daljen e banorëve nga Gaza drejt Egjiptit”.

Ky njoftim, bërë nga njësia ushtarake izraelite COGAT, përbën shkelje të fazës së parë të planit amerikan për paqe, i cili kërkon që Rafah të funksionojë në të dy drejtimet.

Egjipti dhe vendet nënshkruese e dënuan ashpër planin, duke theksuar “refuzimin e plotë të çdo përpjekjeje për të zhvendosur popullin palestinez nga toka e tyre” dhe duke kërkuar që Izraeli të zbatojë plotësisht planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump, që parashikon hapje të plotë të pikës Rafah në të dy kahet.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor sipas planit të Trump, autoritetet izraelite kanë vonuar hapjen e pikës kufitare Rafah për të lejuar hyrjen e ndihmave të domosdoshme dhe largimin e personave që kanë nevojë për trajtim mjekësor.

Si arsyetim, Izraeli ka përmendur moskthimin e trupave të të gjitha personave të kapur nga Hamas dhe nevojën për koordinim me Egjiptin. Aktualisht, vetëm një trup i të kapurit mbetet në Gaza, ndërsa rikuperimi është penguar nga shkatërrimet e gjera të enklavës nën bombardimet izraelite.