Verona feston fitoren e parë, bergamaskët kthehen shpejt te humbja
Hellas Verona regjistroi fitoren e parë të sezonit duke triumfuar 3-1 ndaj Atalantës në “Bentegodi”, në ndeshjen e tretë të javës së 14-të të Serisë A. Në një stadium të mbuluar nga mjegulla, skuadra e trajnerit Zanetti zhvilloi ndeshjen më të mirë të këtij kampionati, duke shënuar tre gola spektakolarë dhe duke i dhënë fund më në fund krizës së rezultateve.
Verona zhbllokoi sfidën falë një goditjeje të shkëlqyer të Belghali-t, i cili gjeti cepin e portës me një finalizim të saktë. Loja e mirë e vendasve vazhdoi edhe pas avantazhit dhe u shpërblye me golin e dytë të Giovane-s, që dyfishoi rezultatin me një aksion personal të bukur. Atalanta, e cila vinte me tri fitore radhazi pa pësuar gol, u duk larg formës së zakonshme dhe u ndëshkua përsëri, këtë herë nga Bernede, që realizoi golin e tretë të Veronës dhe vulosi një mbrëmje perfekte për skuadrën venete.
Ekipi i Rafaelle Palladinos tentoi të reagonte vetëm në pjesën e dytë, duke gjetur golin e nderit me Gianluca Scamacca-s, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Megjithatë, bergamaskët nuk arritën të ndryshonin fatin e ndeshjes dhe pësuan një humbje të rëndë që i frenon në garën për kreun.
Me këtë sukses, Verona ngjitet në kuotën e 9 pikëve dhe i largohet fundit të tabelës, duke lënë vetëm Fiorentinën në vendin e fundit, në prag të përballjes së drejtpërdrejtë javën e ardhshme. Për Atalantën, kjo disfatë shënon një ndalesë të fortë pas një serie pozitive mes kampionatit dhe Kupave.