Shefi i diplomacisë polake i sugjeron Elon Muskut të fluturojë për në Mars: Atje nuk ka censurë të përshëndetjeve naziste

Shefi i diplomacisë polake, Radosław Sikorski, i është përgjigjur sot miliarderit amerikan Elon Musk, i cili bëri thirrje për “likuidimin e Bashkimit Evropian”, duke i sugjeruar që të fluturojë drejt Marsit, pasi “atje nuk ka censurë të përshëndetjeve naziste”.

Reagimi erdhi pasi rrjeti social X, në pronësi të Muskut, u gjobit me 120 milionë euro për shkelje të rregullores së Bashkimit Evropian. Pas vendimit, Musk publikoi një sërë mesazhesh në X, ku fillimisht kërkoi shpërbërjen e BE-së dhe kthimin e sovranitetit tek shtetet anëtare. Në një postim tjetër, ai pyeti se “sa kohë ka mbetur deri në rënien e BE-së”.

Këtij komenti iu përgjigj Sikorski, i cili në rrjetin X shkroi: “Fluturo për në Mars. Atje nuk ka censurë të përshëndetjeve naziste.” Deklarata e tij i referohej një episodi të vitit 2017, kur Musk u filmua duke ngritur dorën në një mënyrë që u interpretua gjerësisht si përshëndetje naziste gjatë inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump.

Më herët gjatë ditës, Sikorski reagoi edhe ndaj komenteve pozitive që autoritetet ruse dhanë për thirrjen e Muskut për shpërbërjen e BE-së. Ai deklaroi se kjo tregon qartë se cilët aktorë përfitojnë nga retorika kundër Bashkimit Evropian dhe kërkesat për “kthimin e sovranitetit” tek shtetet kombëtare.

“Nëse dikush ende dyshon se kujt i shërben e gjithë kjo retorikë anti-BE. Atyre që duan të pasurohen duke përhapur urrejtje dhe atyre që duan të pushtojnë Evropën,” u shpreh Sikorski.