USSH reagon ndaj lajmeve për ‘zgjedhje të reja’: Procesi i vetëm ligjor është ai i datës 16 prill 2025

Unioni i Stomatologëve të Shqipërisë (USSH) ka reaguar sot pas publikimit në disa portale të një lajmi që pretendon zhvillimin e ‘zgjedhjeve të Presidentit të USSH’.

Përmes një njoftimi zyrtar, organizata sqaron se zgjedhjet e ligjshme për organet drejtuese, përfshirë Presidentin dhe nënkryetarin për mandatin 2025–2030, janë zhvilluar dhe përmbyllur me sukses më 16 prill 2025.

Sipas USSH, procesi zgjedhor është njohur zyrtarisht nga të gjitha institucionet publike të Republikës së Shqipërisë, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, e cila ka dërguar edhe përfaqësuesit e saj në organet e reja drejtuese. Gjithashtu, nga ana e USSH theksohet se zgjedhjet nuk janë kontestuar në asnjë organ gjyqësor.

Reagimi i Unionit të Stomatologëve të Shqipërisë

Në lidhje me lajmin e publikuar në disa portale për zgjedhjen e ‘Presidentit të USSH’, njoftojmë stomatologët, ndihmësstomatologët dhe të gjithë opinionin publik se zgjedhjet e ligjshme për organet e zgjedhura të USSH, përfshirë Presidentin, zv. Presidentin e USSH për mandatin 2025 - 2030 janë përmbyllur me sukses në datë 16.4.2025.

Këto zgjedhje nuk janë kontestuar në asnjë organ gjyqësor dhe njëkohësisht janë njohur nga të gjitha organet publike në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë, e cila ka caktuar përfaqësuesit e saj në organet e USSH. Për këtë arsye, USSH përgënjeshtron çdo lajm, i cili ka si qëllim dezinformimin dhe çorientimin e stomatologëve, ndihmësstomatologëve dhe opinionit publik në lidhje me këtë çështje.

Organet e USSH janë duke e ndjekur këtë çështje pranë institucioneve kompetente ligjore. Gjithashtu, USSH vazhdon veprimtarinë e saj në përmbushje të missionit të përcaktuar me ligj.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.

Presidenti i USSH

Dr. Almiro Gurakuqi