Sassuolo përmbys Fiorentinën, “vjollcët” mbeten në fund të tabelës
Java e 14-të e Serie A nisi me një rezultat të rëndësishëm në “Mapei Stadium”, ku Sassuolo triumfoi me 3-1 ndaj një Fiorentine që vazhdon të vuajë dhe të mbetet në vendin e fundit të renditjes. Ndeshja nisi mirë për miqtë, që kaluan në avantazh në minutën e 9-të me Mandragora-n, i cili realizoi nga pika e bardhë pas një ndërhyrjeje të gabuar të portierit Muric ndaj Parisi-t.
Reagimi i Sassuolos erdhi me shpejtësi. Në minutën e 14-të, Volpato shënoi golin e barazimit duke i rikthyer menjëherë ndeshjes ekuilibrin. Përmbysja u kompletua në kohën shtesë të pjesës së parë, kur Muharemovic gjeti golin e 2-1, duke e futur Fiorentinën në një situatë edhe më të vështirë.
Në pjesën e dytë, futbollistët e Sassuolos administruan më mirë lojën dhe e mbyllën takimin në minutën e 65-të me një finalizim të saktë të Koné-së, i cili vulosi fitoren 3-1. Kjo fitore e çon skuadrën e Fabio Grosso-s në 20 pikë, ndërkohë, Fiorentina mbetet në vendin e fundit me vetëm 6 pikë, pa asnjë fitore në 14 javët e para, një krizë e thellë që duket se po bëhet gjithnjë e më shqetësuese për tifozët dhe klubin.