Talenti dardan reagon për zërat që e lidhin me Barcelonën: Është nder dhe ndiej krenari

Sulmuesi i Hoffenheim-it, Fisnik Asllani, ka reaguar për herë të parë ndaj thashethemeve që e lidhin me gjigantin spanjoll, Barcelona, që aktualisht drejtohet nga Hansi Flick, si edhe me Bayernin e Borussia Dortmundin. Forma e tij mbresëlënëse në Bundesliga ka bërë që emri i tij të përmendet gjithnjë e më shpesh në tregun e transferimeve.

“Sigurisht që i dëgjoj dhe i lexoj gjërat e tilla. Është nder dhe ndiej pak krenari, por jam i fokusuar tek Hoffenheimi: te ndeshjet, javët dhe muajt e ardhshëm. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Në fund do të shohim se çfarë do të ndodhë. Gjithçka me radhë,” u shpreh talenti i kombëtares së Kosovës.

Në moshën 23-vjeçare, Asllani është shfaqur si një nga sulmuesit më premtues në Evropë, duke spikatur me ritmin, teknikën dhe aftësinë për të zhbllokuar ndeshjet. Hoffenheim pritet të përfitojë nga kjo formë e tij vitin e ardhshëm, me klubin që raportohet se ka vendosur një çmim rreth 30 milionë euro.

Barcelona e sheh Asllanin si një pasues afatgjatë të Robert Lewandowski-t, duke e vlerësuar si një profil modern sulmuesi, energjik dhe teknikisht të rafinuar.

E ardhmja e tij mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt: Fisnik Asllani po ngjitet shpejt drejt majës së futbollit europian dhe zërat nuk duket se do të shuhen së shpejti.