Verstappen ‘fluturon’ në Abu Dhabi, ‘pole’ i fundit i sezonit i takon kampionit të katërfishtë

Max Verstappen mbylli kualifikimet e Abu Dhabit me një paraqitje të jashtëzakonshme, duke siguruar ‘pole position’ e fundit të sezonit në pistën e Yas Marina. Piloti holandez regjistroi kohën 1:22.207, duke treguar edhe një herë se pse mbetet referenca e Formulës 1. Në krah të tij në vijën e parë do të niset lideri i Botërorit, Lando Norris, i cili u ndal 201 mijëtat më pas, ndërsa la pas vetëm me 29 mijëtat shokun e skuadrës Oscar Piastri, që hap rreshtin e dytë.

Në krah të Piastrit, vendi i katërt i takoi George Russell, i cili e mbylli sesionin 438 mijëtat larg kohës së Verstappen-it. Charles Leclerc me Ferrarin u rendit në rreshtin e tretë, në pozicionin e pestë (+0.523), ndërsa përkrah tij do të niset veterani Fernando Alonso me Aston Martin (+0.695).

Rreshti i katërt i takon Gabriel Bortoleto dhe Esteban Ocon, ndërsa në të pestin u pozicionuan Isack Hadjar dhe Yuki Tsunoda.

Pjesa e dytë e renditjes nis me rreshtin e gjashtë, ku Oliver Bearman me Haas, i eliminuar i pari në fund të Q2, e gjeti veten pranë Carlos Sainz, që siguroi rezultatin më të mirë të Williams-it. Pas tyre vijnë Liam Lawson me Racing Bulls dhe një Andrea Kimi Antonelli shumë i zhgënjyer, i cili nuk arriti të shkëlqejë me Mercedesin.

Në rreshtin e tetë, Lance Stroll me Aston Martin do të ketë në krah Lewis Hamilton, i cili pësoi një tjetër eliminim të hershëm: për shtatë herë kampionin e botës kjo është hera e katërt radhazi që nuk arrin të kalojë në fazën e fundit të kualifikimeve (Las Vegas, Katar, Abu Dhabi dhe Sprinti i Losailit).

Rreshti i nëntë përbëhet nga Alexander Albon me Williams dhe Nico Hülkenberg me Sauber, ndërsa rreshti i dhjetë e i fundit u takon dy Alpine-ve, Pierre Gasly dhe Franco Colapinto, që vulosin një tjetër zhgënjim në fundin e një sezoni tejet të vështirë për ekipin francez.