Xhixho: 'Paqja Fiskale' është pazari i radhës i qeverisë me klientët dhe oligarkët

Zv.Presidentja e PL, Erisa Xhixho, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se “Paqja Fiskale” e qeverisë nuk ka asnjë lidhje me lehtësimin e barrës për qytetarët dhe bizneset, por përfaqëson një tjetër pazar politik që favorizon klientët dhe oligarkët pranë pushtetit. Sipas saj, qeveria po shmang transparencën dhe nuk publikon listën e debitorëve që do të përfitojnë nga kjo skemë, duke u mbështetur në mënyrë të padrejtë te pretendimi për “konfidencialitet”.

Xhixho thekson se ligji e lejon publikimin e të dhënave të tatimpaguesve me detyrime të papaguara dhe me procedura të nisura të mbledhjes me forcë, ndaj heshtja e qeverisë, nuk lidhet me kufizime ligjore, por me një strategji për të mbrojtur interese të caktuara.

Xhixho ngrit pyetjen se kush janë realisht përfituesit e kësaj amnistie, duke rikujtuar se prej gati 15 vitesh është krijuar një borxh i akumuluar prej 1.7 miliardë eurosh nga rreth 200 mijë debitorë.

Postimi i plotë në rrjete sociale:

Paqja fiskale është pazari i radhës që qeveria bën me klientët dhe oligarkët. Qeveria refuzon të bëjë publike të dhënat e debitorëve që do të përfitojnë prej saj, duke u fshehur pas justifikimit për konfidencialitet.

Nuk është “konfidencialitet”, është strategji politike për të mbrojtur klientët dhe oligarkët! Ndërsa qytetarët paguajnë çdo detyrim, edhe për shërbime që nuk i marrin, listat e përfituesve të kësaj skeme mbetet sekret.

Neni 25/1 i Ligjit për Procedurat Tatimore e thotë qartë: të dhënat e tatimpaguesve me detyrime të papaguara dhe me procedurë të nisur të mbledhjes me forcë NUK janë konfidenciale.

Pra publikimi LEJOHET nga ligji. Qeveria po e shkel qëllimisht.

Në gati 15 vite është akumuluar një borxh gjigand prej 1.7 miliardë eurosh dhe 200 mijë debitorësh ndaj Tatimeve. A janë këta përfituesit e vërtetë të paqes fiskale, apo ka edhe të tjerë të padukshëm në listë?

Kjo skemë dëmton ekonominë, buxhetin dhe ligjin. Transparenca e saj prish pazaret e qeverisë.

Kjo amnisti mund të shndërrohet në legalizim të çdo gjëje informale që ka ndodhur për vite me radhë — madje edhe në legalizim të pastrimit të parave.

Një akt i tillë do të dekurajojë pagimin e taksave në të ardhmen. Tatimpaguesit dhe bizneset do të besojnë me të drejtë se çdo shkelje e sotme do të falet nesër. Ky është mesazhi më i rrezikshëm që një qeveri mund t’i japë ekonomisë së vendit.

Paqja Fiskale nuk është paqe. Është pazari fiskal i qeverisë.