Ekzekutimi i Edmond Mëhallës/ Policia në kërkim të Oliver E., dyshohet se mori pjesë në vrasje
Elton Qyno
Policia Kriminale e Elbasanit është vënë në ndjekje të një personi të huaj me emrin Oliver E., i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë në Elbasan për vrasjen e Mondi Mëhallës, alias Hyka.
Ngjarja e ndodhur më 30 nëntor 2025, tronditi qytetin e Elbasanit, i cili prej 1 viti e gjysmë nuk kishte regjistruar asnjë vrasje, duke qëndruar në qetësi për një periudhë kohe.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se tashmë policia ka përqendruar të gjithë punën hetimore pikërisht në kërkimet për gjetjen dhe lokalizimin e Oliver E., i cili ditën e ngjarjes dyshohet të jetë larguar në drejtim të Prrenjasit dhe më tej ka dalë nga pika kufitare e Qafë-Thanës, duke hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Aktualisht policia ka administruar disa pamje filmike që tregojnë se Oliver E. ka qenë në Shqipëri, njëherësh edhe pamjet filmike të largimit të tij në Maqedoni. Por tashmë po punohet me policinë e Maqedonisë për gjetjen e tij, me qëllim arrestimin.
Dyshimet e krijuara në bazë të provave materiale, sipas policisë, krijojnë bindjen se Oliver E. dhe Nevzat alias Nevi Spaho, kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e Mondi Mëhallës në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan.
Megjithëse njëri prej tyre, Nevzat Spaho, është arrestuar nga policia, ai nuk ka pranuar të japë shpjegime lidhur me ngjarjen e rëndë. Sot ai ka dalë para Gjykatës së Elbasanit për t’u njohur me masën e “arrestit në burg”, pasi prokuroria e qytetit e akuzon për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Nevzat Spaho alias “Nevi”, që konsiderohet si i “forti” i Prrenjasit dhe që tashmë është arrestuar për vrasjen e Mondi Mëhallës në Elbasan, rezulton të jetë liruar nga burgu i Shkodrës në muajin shkurt 2025.
Gazetari Elton Qyno ka shfletuar dosjet penale të tij, ku ka rezultuar se Nevi Spaho është liruar nga qelia në muajin shkurt 2025. Vetëm 9 muaj pas lirimit nga burgu, ai është përfshirë në vrasjen me pagesë të Mondi Mëhallës, ngjarje e ndodhur në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan.
Sipas dokumentave, rezulton se Nevzat Spaho ka qenë në burg nga viti 2018 deri në 2021 për akuzën e “Vrasjes” së mbetur në tentativë. Spaho konsiderohet si person me precedent penalë.
Por teksa vuante këtë dënim në ambientet e burgut të Shkodrës, ai është përfshirë në një plagosje tjetër brenda burgut, atë të Ilir Meronianaki. Për këtë krim ai është dënuar me një dënim shtesë prej 666 mijë lekë të vjetra gjobë.