A do t’ia heqë dënimi për mashtrim Martin Shkrelit atë buzëqeshje acaruese nga fytyra?

Kur edhe Donald Trump mendon që ti je një “kalama i llastuar”, e kupton që ke arritur diçka. Martin Shkreli ka një nga fytyrat më të shpullueshme në Amerikë dhe, gjatë dy viteve të fundit, ai duket se ka bërë maksimumin që e gjithë Amerika të dojë t’i fusë një shpullë surratit.

Një juri në Brooklyn sapo e bëri këtë gjë të premten dhe e shpalli sipërmarrësin 34-vjeçar fajtor për mashtrim sigurimesh. Tani ai mund të marrë deri në 20 vjet burg, por gjasat janë që të marrë shumë më pak.

Në rast se nuk e dini se si Shkreli, që shpesh quhet “njeriu më i urryer në Amerikë”, arriti të gjykohej në një gjykatë federale për mashtrim, ja një përmbledhje e shpejtë.

Shkreli u lind nga prindër të varfër emigrantë dhe me punë arriti të ngjitej në shkallët më të larta të Amerikës së korporatave. Një fëmijë i talentuar, ai hyri në një shkollë të mesme elite në New York dhe më pas krijoi dy fonde investimi ofshore dhe, më 2011, krijoi një kompani bioteknologjike të quajtur Retrophin.

Më 2014, historia merr befas kthesën nga ëndërr amerikan në makth kapitalist amerikan. Shkreli u përjashtua nga bordi i Retrophin. Vitin tjetër, Retrophin bëri një padí kundër ish-administratorit të saj, duke deklaruar, ndër të tjera, se Shkreli kishte keqpërdorur fondet e kompanisë dhe kishte ushtruar presion mbi një ish-punonjës dhe familjen e tij. Sipas dëshmisë në gjyq, ai i kishte dërguar gruas së ish-punonjësit një letër ku shkruante: “Shpresoj të të shoh ty dhe katër fëmijët e tu të pastrehë. Do të bëj gjithçka për ta arritur këtë”.

Ndërkaq, zyar e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA nisi një hetim penal ndaj Shkrelit.

Përballë një padije dhe një hetimi penal, shumë njerëz do të kishin ulur kokën dhe do t’u ishin bindur rregullave. Shkreli jo.

Më 2015, ai themeloi një tjetër kompani, Turing Pharmaceuticals. I vuri e Alan Turing, gjeniu matematicien britanik që u persekutua nga qeveria ngaqë ishte gay – çka do të thoshte se ndoshta, thjesht ndoshta, Shkreli mund të kishte një lloj kompleksi martirizimi. Vetëm pak muaj pas fillimit të aktivitetit, Turing bleu të drejtjat e një ilaçi jetik, Daraprim, dhe menjëherë e ngriti çmimin me 5500%. Shpërtheu zemërimi dhe Shkreli u bë fytyrua e lakmisë së korporatave në Amerikë.

Përballë një padije, një hetimi penal dhe me një status si i padëshiruar nga shoqëria, shumë njerëz do të kishin bërë përpjekje për të rehabilituar imazhin e tyre. Shkreli jo.

Në vend të kësaj, Shkreli u duk se i pëlqeu fama e keqe dhe shpejt i hodhi benzinë zjarrit. Provokoi fansat e Wu-Tang Clan duke blerë kopjen e vetme të njërit prej regjistrimeve të tyre për dy milionë dollarë. Më pas u bllokua nga Twitter për “ngacmimin e qëllimshëm” të gazetares Lauren Duca. Shkreli bëri me photoshop një montazh të tijin teksa përkëdhelte gazetaren dhe e bëri foton e profilit në Twitter, me mbishkrimin “deri sa vdekja të na ndajë”.

Ngacmim femrash. Sjellje e turpshme në median sociale. Një etje e pashuar për dritat e projektorëve. Shpërfillje e hapur e normave. Ju kujton ndokënd ndonjëra prej këtyre gjërave? Presidenti e Shteteve të Bashkuar ndoshta? Shkreli është një version i zbehtë shumë më i ri i idhullit të tij, Trump. Nga sjellja duket se Shkreli e ka modeluar veten sipas Presidentit dhe përpiqet të kopjojë mënyrën me të cilën prodhon fame përmes një konvejeri konstant kundërshtish.

Shpeshherë Shkreli e imiton Trumpin me detaje. Merrni për shembull mënyrën se si Shkreli ul e ngre veten midis prezantimit si i persekutuar nga elita dhe lumturimit nga statusi i tij në elitë. Për shembull, javën e kaluar, Shkreli shkroi në Facebook: “Rasti im është një gjueti idiote shtrigash nga prokurorë që i shërbejnë vetes. Për fat të mirë avokati im i shkëlqyer i ktheu prapë në shkollë, aty ku e kanë vendin. Thajeni kënetën. Thajeni kanalin e ujërave të zeza që është Departamenti i Drejtësisë. MAGA (Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe)”.

Postimi i Shkrelit i bën dukshëm jehonë një tweet-i nga Trump në korrik, me të cilin mbronte të birin, Donald Jr, kundër akuzave për Rusinë: “Jeni dëshmitarë të gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë politike të Amerikës, të udhëhequr nga disa njerëz shumë të këqinj dhe konfliktualë! #MAGA”.

Nuk ka asnjë reklamë të keqe. Fama është një komoditet që mund të gërrmohet për të sjellë pasuri. Rëndësi ka ta marrësh, jo si e merr. Nuk mund ta ndëshkosh vërtet një si Shkreli thjesht duke e futur në burg; do të jetë thjesht më tepër material për ndonjë libër apo film për jetën e tij. Jo, ndëshkojeni duke i hequr oksigjenin e publicitetit.

Por kjo s’ka shanse të ndodhë. Shkreli është “Pharma bro” që zgjuarsisht kuptoi se shoqëria moderne është e infektuar nga varësia për argëtim. Ai diagnostikoi gjendjen dhe më pas e ktheu vete në një ilaç që ndihmon për ta ushqyer atë varësi. Media e kapi grepin dhe tani nuk ka gjasa që kjo të jetë hera e fundit që dëgjojmë për Shkrelin.

“Gati për drejtor komunikimi”, shkroi në Facebook të hënën pas lajmit për shkarkimin e Anthony Scaramuccit. Në mënyrën se si po shkojnë gjërat, nuk do të habitesha sikur Trump ta emëronte Shkrelin drejtor komunikimi javën tjetër. .The Guardian.