Marrëveshja e Dejtonit pas 30 vitesh: Një paqe e shëmtuar që ka parandaluar rikthimin e luftës në Bosnjë

Me 21 nëntor 1995, në sallën e konferencave të Hotel Hope në bazën ushtarake Wright-Patterson në Dejton të Ohajos, udhëheqësit e Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe Kroacisë firmosën paraprakisht një marrëveshje që i dha fund luftës trevjeçare e gjysmë në Bosnjë. Tri javë më vonë, u nënshkrua zyrtarisht Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Paqes së Dejtonit.

Lufta në Bosnjë ishte më brutalja dhe më shkatërruesja nga të gjitha luftërat që shpërthyen pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Që nga momenti kur u drejtua drejt pavarësisë në fillim të vitit 1992, Bosnja u sulmua nga milici të mbështetura nga Serbia dhe Kroacia. Ajo lindi në zjarr dhe ishte shumë pranë zhdukjes. Gjysma e popullsisë prej 4.4 milion banorësh u dëbua me forcë nga shtëpitë dhe mbi 100 mijë njerëz humbën jetën.

Lufta u shënjua nga spastrimet etnike dhe krimet e luftës, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, ku mbi 8000 boshnjakë u masakruan nga ushtria e Republikës Srpska.

Paqja e arritur në Dejton e la Bosnjën, ose Bosnjë-Hercegovinën, formalisht të paprekur si shtet, por të ndarë në dy entitete: Republikën Srpska, e shpallur nga serbët nacionalistë në janar të vitit 1992 dhe Federatën e Bosnjës. Një forcë ushtarake ndërkombëtare u dislokua për të garantuar paqen.

Por kjo ishte një paqe e shëmtuar: pacienti u shpëtua, por mbeti i deformuar e i dobët. Sipas studiuesve që kanë shkruar gjerësisht për luftën dhe pasojat e saj, trashëgimia e Dejtonit pas 30 vitesh mbetet e përzier.

Ndarja sipas territoreve etnike

Jeta e Bosnjës pas Dejtonit ndahet në tri periudha rreth dhjetëvjeçare: rindërtimi, bllokimi politik dhe kriza e përhershme.

Dhjetëvjeçari i parë ishte më i vështiri, por edhe më shpresëdhënësi. Me paqen e garantuar nga forcat ndërkombëtare, përfshirë trupa amerikane dhe ruse, boshnjakët u kthyen gradualisht në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta.

Por rindërtimi i shoqërisë ishte shumë i vështirë. Edhe pse bashkësia ndërkombëtare synonte ta përmbyste spastrimin etnik, pengesat ishin të mëdha.

Një vend dikur krenarisht shumetnik mbeti i ndarë në territore të ndara sipas përkatësisë etnike.

Sipas Dejtonit, qytetarëve u garantohej e drejta për t'u kthyer në shtëpitë e tyre. Por shumë shtëpi ishin shkatërruar, ndërsa të tjerat ishin zaptuar nga persona që i kishin dëbuar me forcë.

Deri në verën e vitit 2004, UNHCR njoftoi se kishte realizuar 1 milion kthime. Por u vu re se kthimet e pakicave, pra kthimi në zona ku dikush do të ishte në minorancë, ishin të pakta. Shumë njerëz e rimorën pronën e tyre pas betejash ligjore, por e shitën dhe u zhvendosën atje ku jetonte etnia e tyre.

Besimi mes komuniteteve të ndryshme etnike ishte pothuajse i shkatërruar.

Horizonte të papajtueshme

Dhjetëvjeçari i parë ishte kulmi i ndërhyrjes ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit. Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar mori kontroll mbi ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës. U krijuan policia kufitare, agjencia shtetërore e hetimeve, gjykata shtetërore, kodet penale dhe autoriteti i tatimeve për të bashkuar financat.

Por përparimi u ndal në vitin 2006, kur përfaqësuesi i lartë u tërhoq nga ndërtimi i shtetit. Në prill të atij viti, ndryshimet kushtetuese për forcimin e institucioneve qendrore dështuan në Parlament për vetëm dy vota.

Çuditërisht, këto ndryshime nuk u bllokuan nga Republika Srpska, por nga partia boshnjake e ish-kryeministrit Haris Silajxhiq. Ky dështim hapi rrugën për një dekadë polarizimi dhe bllokimi politik.

Silajxhiqi kërkonte shfuqizimin e dy entiteteve dhe krijimin e një Bosnje të bashkuar. Si përgjigje, lideri i Republikës Srpska, Milorad Dodik, filloi të fliste për referendum për pavarësi.

Me përfaqësuesin e lartë gjithnjë e më pasiv, Bosnja mbeti e bllokuar mes dy qëllimeve të papajtueshme: askush nuk kishte forcë të fitonte, por të gjithë kishin forcë të bllokonin.

Dodik e shndërroi idenë e referendumit në një kërcënim të vazhdueshëm, duke i shpërfillur institucionet qendrore në Sarajevë si të dështuara dhe artificiale. Ndërkohë, ai dhe familja e tij u pasuruan, duke ndërtuar një rrjet klasik patronazhi në Republikën Srpska.

Me mediat të ndara sipas linjave të luftës, retorika nxitëse pushtoi hapësirën publike.

Fjala "inat" është e përbashkët për boshnjakët, kroatët dhe serbët. Ajo nënkupton kokëfortësi dhe kryeneçësi. Politika filloi të shpërblente ata që shfaqnin më shumë "inat" se kundërshtarët e tyre.

Institucionet qendrore nuk u rrëzuan, por u bënë të ngadalta dhe të ngurta. Procedurat u shumuan, besimi u pakësua, dhe vendimmarrja u kthye në një teatër vetosh paraprake, ku qëllimi nuk ishte zbatimi i politikave, por mbajtja gjallë e dy skajeve: një Bosnje e bashkuar nga njëra anë dhe Republika Srpska e pavarur nga ana tjetër, ndërsa palët përpiqeshin t'i shkaktonin njëra-tjetrës sa më shumë dhimbje politike.

Një vend në prag të luftës 

Një dekadë bllokimi politik u shndërrua gradualisht në një gjendje krize të përhershme.

Në nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vendosi se shënimi i 9 janarit si "Dita e Republikës Srpska", një festë që simbolizon pavarësi faktike, ishte diskriminues dhe i paligjshëm sipas ligjit për të drejtat e njeriut.

Milorad Dodik, udhëheqësi de facto i Republikës Srpska, u përgjigj duke organizuar një referendum jashtëligjor, ku rezultati pretendonte se popullsia e Republikës Srpska donte që kjo datë të mbahej.

Sfida ndaj shtetit u shndërrua në shkatërrim aktiv të rendit kushtetues dhe të dispozitave të Dejtonit. Parlamenti i Republikës Srpska miratoi ligje që sfidonin drejtpërdrejt institucionet qendrore të ndërtuara në dekadën e parë pas luftës. Me kapacitete të dobëta zbatuese, shteti i Bosnjës nuk arriti të impononte zbatimin e tyre.

Në vitin 2021, kur u emërua një përfaqësues i ri i lartë ndërkombëtar, kundër dëshirës së Rusisë, Dodik e refuzoi hapur autoritetin e tij. Në atë kohë, Bosnja përshkruhej shpesh si një vend "në prag" të luftës.

Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 e gjeti Dodikun të rreshtuar qartazi me Moskën. Ai vizitoi shpesh presidentin rus Vladimir Putin. Mediat e Republikës Srpska transmetuan propagandë ruse, madje edhe me gazetarë që raportonin drejtpërdrejt nga frontet e luftës.

Ndërkohë, njerëzit dhe institucionet në Federatën e Bosnjës u rreshtuan me Ukrainën dhe Perëndimin. Një hendek i madh gjeopolitik kaloi në vend: dy entitete, dy realitete të ndryshme.

Në shkurt 2025, kriza arriti kulmin kur Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ia ndaloi Dodikut veprimtarinë politike. Siç pritej, ai refuzoi autoritetin e gjykatës dhe situata degjeneroi në përplasje institucionale. Dodik angazhoi figura të afërta me administratën e Trump-it, si Rudy Giuliani, për të lobuar në favor të tij. Deri në fund të tetorit 2025, ata arritën të sigurojnë heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Dodikut, në këmbim të largimit të tij nga posti i presidentit të Republikës Srpska.

Paqja e shëmtuar vazhdon

Për vëzhguesit e largët, Bosnja mund të duket si një histori suksesi sepse nuk është rikthyer në luftë. Por paqja e arritur në Dejton e ka mbajtur vendin të lidhur me një këmishë force që e ka mbajtur të ndarë për dekada.

Nacionalizmi etnik dhe kapitalizmi klientelist kanë lulëzuar, ndërsa shumë boshnjakë janë larguar nga vendi ose dëshirojnë të largohen.

Megjithatë, sado e padëshiruar të jetë sot, Marrëveshja e Dejtonit e ruajti Bosnjën. Ajo ndali luftën, garantoi lirinë e lëvizjes, mundësoi rimëkëmbjen ekonomike, rregulloi zgjedhjet, ringjalli jetën kulturore dhe i dha mundësinë mbi 1 milion njerëzve të kthehen në shtëpitë e tyre.

Si marrëveshje paqeje, Dejtoni nuk ishte më e keqja, por është shumë larg të qenit më i miri. / The Conversation - Syri.net