Ancelotti për shortin e Brazilit: T’i fitojmë të tria ndeshjet e grupit

Kombëtarja e Brazilit është vendosur në një "grup të vështirë" në Kupën e Botës 2026, me Marokun, Skocinë dhe Haitin, ka thënë trajneri i Selecaos, Carlo Ancelotti, pas shortit në Uashington.

Ekipi i tij do të luajë ndeshjen e parë më 13 qershor 2026, kundër Marokut, e më pas do të ketë ndeshje kundër Haitit më 19 qershor dhe Skocisë më 24 qershor.

"Maroku ishte shumë i mirë në Kupën e Botës 2022 në Katar, ku arriti në gjysmëfinale, ndërsa Brazili u eliminua në çerekfinale. Skocia ka një ekip shumë të fortë, do të jetë shumë e vështirë", ka thënë fillimisht Ancelotti për Sportv.

"Duhet të përpiqemi të përfundojmë të parët në grup. Mbi të gjitha, duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen e parë, e cila do të jetë shumë e rëndësishme.

Duhet të mendojmë për fitoren e të tre ndeshjeve. Së pari kundër Marokut, që do të jetë më e vështira, por edhe kundër dy kundërshtarëve të tjerë. Duhet të kemi besim", përfundoi italiani.