SHBA: Ka pasur përparim në bisedimet me Ukrainën për një plan për të përfunduar luftën
Negociatorët ukrainas dhe amerikanë kanë bërë thirrje ndaj Rusisë për të treguar përkushtim ndaj paqes afatgjatë, pas bisedimeve në Moskë që nuk sollën rezultate konkrete. Emisari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe sekretari ukrainas i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Rustem Umerov, thanë se përfundimi i luftës varet nga gatishmëria e Rusisë për të ndërmarrë hapa drejt de-eskalimit dhe ndalimit të vrasjeve.
Bisedimet, të cilave u bashkua edhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, kanë vazhduar për dy ditë në Florida dhe do të vijojnë për ditën e tretë. Sipas ekipit amerikan dhe ukrainas, përfundimi i luftës dhe armëpushimi janë të domosdoshëm për të parandaluar një agresion të ri.
Takimet e mëparshme mes Witkoff dhe presidentit rus Vladimir Putin nuk sollën kompromis mbi draftin e planit amerikan për paqe, megjithëse Kremlini tha se është i gatshëm të vazhdojë diskutimet. Ukraina ka kërkuar ndryshime në planin e paqes, pasi versioni fillestar u duk i favorshëm për Moskën. Pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbeten garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe koncesionet territoriale.
Rusia kontrollon aktualisht rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë pjesë të Donbasit, ku Putini paralajmëroi tërheqjen e trupave ukrainase, duke kërcënuar se do të “çlironte me forcë” këto territore nëse nuk tërhiqen. Ukraina dhe aleatët e saj evropianë konsiderojnë se pranimi i Ukrainës në NATO ose sigurimi i garancive të plota të sigurisë është mënyra më efektive për të penguar sulme të reja ruse, por Rusia dhe Trump janë kundër këtij opsioni.
Trump vlerësoi bisedimet si “mjaft të mira”, por paralajmëroi se është ende herët për të parashikuar rezultatet, duke theksuar se për një marrëveshje të qëndrueshme “duhet dy për të vallëzuar tango”.