Vdekja e 15 vjeçarit/ Akuzat se ikën dritat gjatë operacionit, reagon spitali i Durrësit: Kishim gjenerator
Spitali Rajonal i Durrësit ka reaguar pas kritikave që e lidhnin me vdekjen e 15-vjeçarit E. B., i cili u godit me thikë gjatë një konflikti dhe ndërroi jetë pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas spitalit, pretendimet e të afërmve nuk janë të vërteta, pasi gjatë operacionit nuk ka ndodhur ndërprerje energjie dhe gjeneratori ka funksionuar normalisht.
Pas operacionit, spitali kishte publikuar një njoftim duke e konsideruar ndërhyrjen si të suksesshme, i cili më pas është fshirë pas tragjedisë.
Në njoftim thuhej:
‘Ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë, duke menaxhuar dëmtimet jetike dhe rikthyer stabilitetin hemodinamik. Mirënjohje për kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe për anestezistin A. Banushi, që e çuan rastin drejt suksesit me profesionalizëm dhe qetësi operative. Pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar.’
Deklarata e Spitalit Rajonal Durrës për mediat:
Spitali shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B. dhe informon opinionin publik se pacienti ishte paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv. Komplikacionet që ndodhën ishin pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në lidhje me pretendimet se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ‘kanë ikur dritat’, spitali sqaron:
Pas verifikimeve me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht, dhe pajisjet jetike kanë bateri rezervë, që sigurojnë vazhdimësi edhe në rast luhatjesh të mundshme.
Ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe mbulohen nga kontrata aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershëm në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës thekson se është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.