Malaj: Shtet pa rregulla, s’mbron dot fëmijët. Koha të hiqen rrjetet sociale deri në moshë 16 vjeç

Ngjarja në qytetin e Durrësit, ku një 15-vjeçar humbi jetën si pasojë e një konflikti dhe u godit me thikë, ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi gjendjen e rendit dhe sigurisë në vend.

Në studion e lajmeve të Syri TV, pedagogia dhe ekspertja e arsimit Nora Malaj u shpreh se kjo tragjedi ka hapur “kutinë e Pandorës”, duke zbuluar një sërë problemesh të grumbulluara ndër vite, që nga mungesa e kontrollit familjar te mosfunksionimi i shkollës dhe dështimi i komunitetit për të reaguar në kohë.

Malaj theksoi se shoqëria shqiptare po vuan një “depresion social” që po shndërrohet në pjesë të përditshmërisë, ndërsa institucionet mbeten të brishta dhe të paafta për të garantuar sigurinë e fëmijëve. Duke iu referuar praktikave të Danimarkës dhe Australisë, ajo kërkoi që edhe në Shqipëri të hiqen ose kufizohen rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç, duke ndaluar hapjen e llogarive personale, si një masë urgjente për të frenuar ndikimin e rrezikshëm të platformave në sjelljen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Pjesë nga deklarata:

Vetëm të flasim dhe japim intervista kur ndodh ngjarja dhe jemi kthyer në dhimbje të problemit, jemi kthyer në konstatues të problemit, por duhet të kthehemi në zgjidhjen e problemit dhe duhet të marrim të gjithë përgjegjësitë. E para, dhe jo pa qëllim e thashë, e merr familja, sepse deri në moshën 18-vjeçare fëmija është nën përgjegjësinë e familjes dhe familja duhet t’i japë aq sa mban, se në të kundërt tragjedia bëhet shumë e madhe. E dyta, përgjegjësinë e merr shkolla, sepse shkolla duhet të ketë një evidencë dhe duhet të dijë çfarë bëjnë këta fëmijë pas shkolle. Fëmijët nuk janë vetëm te pjesa e shkollës. Fëmija socializohet në shkollë, shoqëria socializohet në shkollë.

E treta, komuniteti ku jetojmë. Ky lloj komuniteti, si mund t’i lërë fëmijës që të ngasë një mjet për të çuar të tjerët, kur jam e bindur që nuk ka pasur patentë, sepse 15 vjeç nuk merr patentë? Pra, është shumë kompleks si problem. Dhe kjo ngjarje tejet e dhimbshme na ka hapur atë që quhet “kutia e Pandorës”, të gjitha problemeve që kemi sot, që shikojmë, që kemi një shtet pa rregulla mduhet thënë që kemi mekanizma që nuk na mbrojnë në sigurinë dhe garancinë e fëmijës, që kemi institucione të cilat janë të brishta dhe nuk arrijnë dot të mbrojnë. Me letra janë shumë mirë, por kemi një shoqëri e cila ngelet te TikTok-u dhe te ngjarjet e rrjeteve sociale.

Dhe duhet bërë siç ndodh në Danimarkë, që po t’i mbyllin deri në moshën 16-vjeçare llogaritë në rrjetet sociale. Sepse, nëse nuk do të bënin ato dhe do të flisnin me komunikimin e tyre… Zoti Edi Rama nuk i mbylli rrjetet sociale për moshën 16-vjeçare. Të mos kenë këta jo rrjet social, por të mos kenë mundësi llogarie të tyre. Rrjeti social le të jetë i hapur. Nuk ta prish punën ai. Llogaria e tij të mos jetë. Pra, të jetë taksative, ashtu siç thuhet: ti nuk do të shkosh të blesh në dyqan paketën e duhanit apo pijen alkoolike deri në moshën 16 vjeç; po kështu, ti nuk duhet të kesh llogarinë tënde deri në moshën 16 vjeç. Kjo është të mbyllësh rrjetin social, për këtë kategori.

Këtë po bëjnë vendet sot; Australia e ka mbyllur, Danimarka e ka mbyllur. Dhe pse e mbyllin? Sepse po shohin që, në depresionin social që ka shoqëria, ne jemi shoqëri depresive. Depresionin e përjeton prindi, depresionin e përjeton mësuesi, depresionin e përjeton fëmija. Pra, stresi po e kthejmë në ADN të kombit. Dhe ta kthesh stresin në ADN të kombit është dhimbja më e madhe dhe është frika më e madhe për këtë shoqëri.

Unë sapo kam ardhur nga një takim që kam bërë në shkollën 9-vjeçare “Hasan Tahsini” në Tiranë dhe më kishin ftuar pikërisht për të diskutuar lidhjet midis brezave. Dhe po të them një gjë: jam befasuar nga inteligjenca e fëmijëve sot. Pyetjet që më kanë bërë ata nuk m’i kanë bërë as kur kam qenë deputete në parlament dhe nuk m’i bëjnë as studentët e mi sot në universitet. Pyetjet e tyre mua më nxorën problemin thelbësor.