Avokati i Metës: Gjyqtarja Gjoka është e shantazhueshme, po hetohet nga SPAK për çështjet e saj personale
Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta është shtyrë sërish, ndërsa avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka lëshuar akuza të forta ndaj gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka, dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Në një prononcim për mediat, Cakrani deklaroi se prokuroria nuk ka përmbushur detyrat e lëna nga gjykata, duke shkaktuar tensione dhe shtyrjen e seancës.
Sipas avokatit, prokurorisë i ishte kërkuar që t'i vinte në dispozicion Metës të gjithë fashikujt e dosjes, të saktësonte akuzën dhe të dorëzonte listën e provave. Moskryerja e këtyre detyrave, sipas mbrojtjes, ka çuar në bllokimin e procesit. Për këtë arsye, seanca e radhës është caktuar për datën 22 dhjetor.
Akuza më e rëndë e Cakranit ishte drejtuar ndaj gjyqtares Irena Gjoka. “Unë nuk kam dyshime që zonja Gjoka është një gjyqtare tashmë e shantazhueshme nga zotërinjtë prokurorë, se po hetohet nga ata për çështjet e saj personale,” tha ai.
Avokati pretendoi se për këtë arsye, gjyqtarja pranon çdo kërkesë të prokurorëve dhe injoron ato të palës mbrojtëse.
Cakrani gjatë prononcimit të tij e përshkroi Gjykatën dhe Prokurorinë e Posaçme si “bolshevike” dhe “toga të zeza të pushkatimit”, duke akuzuar se ato po mbajnë peng të pandehurit dhe po veprojnë me standarde të dyfishta. Ai shprehu besimin se në fund, “këtë betejë do ta fitojnë”.
Kujtim Cakrani: …Në seancën e kaluar u lanë disa detyra nga gjykata që prokurorët duhet të informonin ose më saktë duhet t'i paraqisnin në ambientet e paraburgimit zotit Ilir Meta, ish-presidentit të gjithë fashikujt që ai kërkoi. Sepse duhet të njihesh çështja është e drejtë e tij procedurale. Gjithashtu i kërkuam që të saktësonin akuzën dhe të na sillnin dhe listën e provave prokurorët.
Prokurorët nuk e kishin bërë këtë, detyrë. Pa dyshim që ne kërkuam përsëri. Pati një tension sepse prokurorët kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit për zotin Meta, të cilët, i cili ishte aty prezent, avokatët ishin aty dhe nuk ishte ky shkaktari për shtyrjen e seancës gjyqësore. Dhe kështu që pati një tension ndërmjet avokatëve, të paktën ndërmjet zotit Zhllima dhe unë, me gjyqtaren zonjën Irena Gjoka, e cila e pranoi kërkesën, edhe pse ne nuk e vinim në dyshim që zonja Gjoka pranon çdo kërkesë të prokurorëve.
Unë nuk kam dyshime që zonja Gjoka është një gjyqtare tashmë e shantazhueshme nga zoterinjtë prokurorë se po hetohet nga ata për çështjet e saj personale. Ajo vazhdon që mos t'i marrë parasysh dhe t'i injorojë kërkesat tona.
Ne do vazhdojmë betejën tonë dhe kështu që seancën e ardhshme që do u caktua në datën 22 dhjetor. Nëse prokurorët do ta kenë informuar dhe njohur zotin Meta me të gjithë aktet që ai ka kërkuar, por dhe avokati, kolegu do njihet me 70.000 faqet ose 134 fashikujt, që ka prokuroria për gjykim dhe besoj se dhe në datën 22, sipas gjasave të mia, seanca nuk ka për t'u zhvilluar jo për fajin tonë, por për faj të neglizhencës, të paaftësisë, merreni si ta doni të anës të prokurorëve.
Ne nuk kemi dyshime fare që kjo çështje vazhdon të jetë çështje politike dhe vazhdojmë t'i qëndrojmë atyre që kemi thënë që në fillim. Ne jemi këtu për betejë ligjore bashkë me kolegun, zoti Meta është në betejë politike, foli gjatë aty, i kërkoi prokurorëve.
Ai ka kërkuar të njihet me dy momentet, me ÇEZ-DIA-n, por jo ato të kontratës që nuk ka asnjë lloj rëndësie për zotin Meta sepse zoti Meta s'ka qenë as kryeministër dhe as ka patur gisht te kontrata, lidhje me kontratën që ka, që ka bërë qeveria shqiptare me ÇEZ-in. Ka kërkuar të njihet vetëm me ato prova ku ai përmendet, që në fakt nuk përmendet në asnjë, por ja ka lënë si detyrë. Dhe tjetra ka qenë me ëh lobimin. Pra këto janë dy ë momente, ose më saktë, dy dosjet që zoti Meta kërkon të njihet me to dhe t'i studiojë dhe padyshim pastaj të bëjë parashtrimet, të bëjë kërkesa e kështu me radhë....