VIDEO - Kryemadhi zbulon shkeljet procedurale/ Ish deputetja e PL: S’na është dhënë lista e provave

Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën në ngarkim të ish kreut të shtetit, Ilir Meta, ndërsa për çështjen në fjalë po hetohet edhe ish bashkëshortja dhe ish deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.

Pas daljes nga seanca gjyqësore, Kryemadhi denoncoi një sërë shkeljesh procedurale, që sipas saj, asnjërit prej të pandehurve nuk i është dhënë lista e provave, çka përbën një shkelje të hapur të Kodit të Procedurës Penale.

Një akuzë e rëndë u ngrit nga Kryemadhi, dhe në lidhje me procesin e sekuestrimit të një telefoni celular, që sipas saj, për marrjen e të dhënave nga celulari i saj është përdorur një letër-porosi drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pretendohet se Departamenti Amerikan i Shtetit është gënjyer.

Ajo shpjegoi se pala shqiptare ka paraqitur një vendim për kontrollin e banesës së Monika Kryemadhit si të ishte një vendim gjykate për sekuestrimin e celularit. Ky veprim, sipas saj, jo vetëm që është i paligjshëm, por shkel edhe marrëveshjen e ndihmës juridike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si dhe të drejtat themelore të njeriut.

Mes kërkesave të tjera të paraqitura në gjykatë, janë edhe ato për të zbardhur pretendimet e akuzës lidhur me blerjen e një shtëpie dhe deklarimin e pasurisë. Kryemadhi këmbënguli se çdo veprim, nga marrja e kredisë deri te shitja e pronave, është i deklaruar dhe transparent, fakt që sipas saj konfirmohet edhe nga dëshmitë e personave të tjerë të marrë në pyetje.

Në përfundim,ish deputetja e PL, shprehu skepticizëm të thellë ndaj sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar atë jo si një mekanizëm për të dhënë drejtësi, por si “një mjet për të fshehur skutat apo edhe shkeljet që bën pushteti”.

Seanca e sotme u shty për datën 22 dhjetor, ora 2:30 për shkak sepse zotit Meta nuk i është, nuk është pajisur me dokumentet. Përveç faktit që ne në seancën e kaluar kemi kërkuar listën e provave, e cila nuk i është dhënë asnjë të pandehuri, lista e provave, ku në bazë të kodit të procedurës penale, mbas çdo akuze që çohet në gjykatë, i bashkangjitet edhe lista e provave, gjë që e cila mungon. Kjo është edhe kjo një shkelje procedurale, po megjithatë, nuk ka problem për ne të tjerët që jemi jashtë. Por ndërkohë nga ana tjetër zotit Meta, i cili është në izolim total, nuk e ka pasur të mundur të njihet, të njihet pra po themi me dosjen, sepse edhe në mënyrën elektronike që i kanë avokatët e tij, ai nuk ka as kompjuter, as printer ku t'i printojë atje apo edhe t'i shikojë. Kështu që gjykata e pranoi, vendosi që prokuroria brenda javës të mundësojë, me pasjen në formë fizike të të gjithë fashikujve, ato që kanë lidhje me zotin Meta.Ne kemi kërkuar listën e provave, shumë kohë më përpara. Përveç listës së provave kemi kërkuar edhe mënyrën se si funksionon. Megjithatë akoma nuk jemi, nuk kemi filluar në parashtrimin e gjërave, sepse seanca nuk ka filluar.

Mendoj që herës tjetër besoj se do të shkojmë drejt një seance. Sepse në radhë të parë duhet të relatojë prokurori, i cili ka për të relatuar akuzën dhe më pas jemi të gjithë të tjerët, që jemi pjesë e procesit që do të bëjmë parashtrimet tona. Sigurisht që unë kam shumë kërkesa. Kam kërkesën, një e para që duhet të më jepet i gjithë ekspertimi i telefonit celular timit, edhe pse është marrë në mënyrë të paligjshme, edhe pse në bazë të letër-porosisë që kanë çuar në Amerikë, pra është gënjyer Departamenti i Shtetit, ku është kërkuar ku është kërkuar nga Departamenti i Shtetit një vendim gjykate për sekuestrimin e telefonit tim dhe ndërkohë Departamenti i Shtetit është gënjyer, mund të themi, me dashje apo pa dashje, nuk e di, duke thënë që vendimi i kontrollit të banesës së mamasë së Monika Kryemadhit, është quajtur si vendim i sekuestrimit të celularit të Monika Kryemadhit, gjë që kjo bën, përveç se ka shkelur marrëveshjen ë e marrëveshjen e bashkëpunimit ose të ndihmës juridike që ka Shqipëria me Amerikë, sigurisht që ka dhe shumë shkelje të tjera procedurale që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut e të tjera me radhë.

Nga ana tjetër janë shumë gjëra të tjera. Kërkojmë, domethënë, mënyrën, pretendimet që kanë, pse pretendohet, po themi, për sa i përket blerjes së shtëpisë time, ose të deklarimit të pasurisë, kur unë i kam të deklaruara po themi marrjen e kredisë apo edhe shitjen e një prone sepse dhe në dëshmitë e njerëzve të cilët kanë marrë prapë në fashikujt e tyre, sigurisht që çdo gjë qëndron ashtu siç është e vërteta. Megjithatë, jemi koshientë dhe ne e dimë shumë mirë se ajo çfarë ne shikojmë në këtë proces, që edhe vetë shqiptarët po e kuptojnë dita ditës më shumë, këtu ne kemi një sistem drejtësie i cili nuk shërben për drejtësi por shërben si një mjet për të fshehur, po themi, skutat apo edhe shkeljet që bën pushteti i tanishëm. Jo, nuk besoj se pati se s'ka pse të ketë koment për pranimin tim në proces. Atje jemi të gjithë të barabartë, si Meta, si Sotir Kllapi, si Arben Kraja, si unë, si mamaja ime.