Ekstremistët e dhunshëm i përdorin fjalët si armë. Studimi i ri zbulon 6 taktikat që përdorin
Fjalët janë mjete të fuqishme. Ekstremistët e dhunshëm e dinë mirë këtë dhe shpeshherë i zgjedhin fjalitë me shumë kujdes për të ndërtuar besnikëri te ndjekësit e tyre. Kur përdoren me mjeshtëri, ato mund të shkaktojnë dëme të mëdha.
Pikërisht sepse fjalët e tyre janë të zgjedhura me kaq kujdes, studiuesit mund të kërkojnë modele, prirje dhe shenja paralajmëruese. Çfarë thonë saktësisht ekstremistët që arrin të krijojnë ndjekës, të nxisin urrejtje e dhunë dhe në fund të çojnë në sulme të përgjakshme?
Kërkimi ynë mbi retorikën e ekstremistëve që qëndrojnë pas disa prej sulmeve terroriste më të rënda të historisë së fundit hedh dritë mbi këtë pyetje. Ne kemi identifikuar gjashtë taktika kryesore që terroristët përdorin për të mobilizuar njerëzit pas kauzës së tyre.
Duke ditur të dallojmë këto taktika, mund të çmontojmë gjuhën dhe të mbrojmë njerëzit e komunitetet nga radikalizimi.
Përça e sundo
Në punimet e mëparshme kemi shqyrtuar gjuhën nxitëse të ekstremit të djathtë në manifestin 87-faqësh të autorit të masakrës së Christchurch-it.
Puna jonë më e fundit analizoi tekstet xhihadiste, përfshirë fjalimet e ish-udhëheqësit të al-Qaedës, Osama bin Laden, pas 11 Shtatorit, si dhe deklarimet e ish-kreut të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, të publikuara në revistën e organizatës.
Ne përdorëm analiza gjuhësore për të parë se si përdorej gjuha në mënyrë strategjike për të zvogëluar ose theksuar dallimet kulturore. Analizuam se si nxitësit përdorin fjalët për të krijuar lidhje dhe detyrime që mobilizojnë dhunë.
Gjetëm dy lloje kryesore të mesazheve nxitëse: ato që forcojnë lidhjet brenda grupit për të ndërtuar një qëllim të përbashkët, dhe ato që e ndajnë grupin nga të tjerët duke i paraqitur të jashtmit si armiq.
Ky lloj mesazhi mund të përçajë shoqërinë dhe t'i bëjë njerëzit të identifikohen me grupin. Si rezultat, ndjekja e rregullave të grupit, madje edhe e veprimeve ekstreme, mund të duket si provë e përkatësisë së vërtetë dhe besnikërisë.
Por në ekstremizmin e dhunshëm, urdhrat e drejtpërdrejtë shpesh nuk mjaftojnë për të frymëzuar dhunën ose për të mobilizuar mbështetje. Atëherë, si i përdorin ekstremistët këto strategji për t'i shtyrë njerëzit të veprojnë?
6 taktikat retorike
Pasi dhuna të jetë paraqitur si një detyrim moral përmes izolimit të grupit, ekstremistët përdorin gjashtë teknika kryesore.
1. Shfrytëzimi i dallimeve si armë
Ekstremistët nuk mjaftohen t'i quajnë të tjerët "ndryshe"; ata i paraqesin si imoralë dhe të rrezikshëm. "Ne" kundër "atyre" bëhet sfondi mbi të cilin ndërtohen thirrjet për veprim.
Nxitësit lidhin besnikërinë dhe nderin me kërcënimet e jashtme. Osama bin Laden i nxiste ndjekësit të sulmonin qeveritë arabe pro-SHBA-ve, duke i quajtur "qeveri tradhtare dhe bashkëpunëtore […] të krijuara për të shuar Xhihadin".
Autori i sulmit në Christchurch, Brenton Tarrant, akuzonte organizatat joqeveritare që mbështesnin imigrantët duke i quajtur "tradhtarë". Imigrantët ai i përshkroi si "llum kundër të bardhëve" dhe i krahasoi me "fole nepërkash" që duhet shkatërruar.
Dehumanizimi i të jashtmëve forcon lidhjet brenda grupit dhe mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.
2. Thirrja e heronjve dhe ikomave
Ekstremistët përdorin figura historike, vende ose ngjarje të njohura për t'i bërë ndjekësit të ndihen pjesë e një historie më të madhe. Emra si "Sulltan Saladini", vende si "Hagia Sophia" apo "Londinium" i lidhin ndjekësit me ikona dhe beteja të së shkuarës, duke i bërë të ndihen si mbrojtës ose hakmarrës.
Tarrant shkroi: "Ky pushtues pakistanez mysliman tani përfaqëson njerëzit e Londrës. Londinium, zemra e Ishujve Britanikë. Çfarë shenje më të mirë e rilindjes së të bardhëve mund të ketë sesa largimi i këtij pushtuesi?"
3. Rishfrytëzimi i teksteve fetare
Ekstremistët nuk përdorin fenë në vetvete, por versione të shtrembëruara dhe të nxjerra nga konteksti të teksteve fetare për të justifikuar dhunën.
Citatet e Zotit apo figurave fetare e bëjnë mesazhin të duket legjitim dhe e paraqesin dhunën si detyrë morale ose shpirtërore. Kjo forcon besnikërinë dhe bindjen se veprimet e dhunshme u shërbejnë "vlerave tona".
Tarrant citoi Papa Urbanin II të Kryqëzatës së Parë, ndërsa al-Baghdadi keqpërdori citime të Allahut.
4. Ankesat e përshtatura dhe gjuha nxitëse
Nxitësit formulojnë ankesa para se audienca t'i artikulojë ato vetë. Fjalë si "poshtërim", "padrejtësi" apo "humbje kulturore" i ndihmojnë ndjekësit të ndihen të bashkuar rreth një kauze të përbashkët.
Osama bin Laden fliste për myslimanë që jetonin nën "shtypje" dhe "përçmim". Ndërsa Tarrant paralajmëronte për "politikanë pedofilë" dhe pretendonte se imigracioni do të "shkatërrojë komunitetet tona".
Emërtimi dhe etiketimi bashkon ndjekësit dhe ndan të tjerët.
5. Metaforat dhe mesazhet e farefisnisë
Osama bin Laden i përshëndeste ndjekësit me metafora si "ushtarë të Allahut", ndërsa armiqtë i përshkruante "nën flamurin e kryqit". Këto kontraste forcojnë njëkohësisht besnikërinë dhe armiqësinë.
Nga ana tjetër, termat e farefisnisë i afrojnë njerëzit. Fjalë si "vëllezër", "motra", "ne" dhe "tona" i bëjnë të huajt të duken si familje. Duke quajtur ndjekësit "vëllezërit tanë myslimanë", detyra politike kthehet në detyrë personale e morale, si mbrojtja e familjes.
Tarrant bëri të njëjtën gjë. Vargu i tij: "pse duhet të keni paqe kur vëllezërit tuaj të tjerë në Europë përballen me luftë të pashmangshme?" e lidh dhunën me sigurinë e familjes dhe të brezave që vijnë.
Nga ana tjetër, "ata" dhe "atyre" i përcaktojnë të huajt jo të farefisit. Kjo gramatikë e ndarjes zvogëlon empatinë dhe e bën më të lehtë justifikimin e përjashtimit apo dhunës.
6. Shtrëngimi drejt veprimeve të dhunshme
Përveç urdhrave, rekomandimeve ose paralajmërimeve që i thonë dikujt të bëjë diçka, ekziston edhe detyrimi moral. Ai e bën dhunën të duket si kujdes për grupin.
Ekstremistët e bëjnë këtë duke e paraqitur dhunën si detyrë. Shprehje si "është e lejueshme" në tekstet xhihadiste e zhvendosin dhunën nga tabu në detyrim, për shembull: "është e lejueshme t'ua marrësh pasurinë dhe t'ua derdhësh gjakun".
Ata po ashtu paraqesin të huajt si kërcënim ekzistencial. Kjo justifikon dhunën parandaluese si vetëmbrojtje apo domosdoshmëri, siç shkruan Tarrant: "imigracioni masiv do të na zhveshë nga të drejtat, do të minojë kombet tona, do të shkatërrojë komunitetet tona, do të shkatërrojë lidhjet tona etnike [...]".
Çfarë mund të bëhet me këtë kërkim?
Retorika ekstremiste nuk ekziston vetëm online. Ajo dëgjohet në protesta, forume dhe debate politike.
Teoria e "Zëvendësimit të madh", dikur e kufizuar në manifestet ekstremiste, sot shfaqet në protesta kryesisht kundër imigracionit.
ASIO ka paralajmëruar se "promovimi i dhunës komunale" është në rritje, ndërsa dhuna e motivuar politikisht po "jep sinjale alarmi" për autoritetet.
Kundërshtimi i ekstremizmit kërkon kuptimin e taktikave të tij. Politikëbërësit, edukatorët dhe drejtuesit e komuniteteve mund të ndihmojnë duke identifikuar dhe çmontuar këto taktika kur i hasin.
Mësimi i edukimit kritik mediatik është gjithashtu thelbësor që komunitetet të jenë në gjendje t'i dallojnë dhe t'u bëjnë rezistencë presioneve manipuluese.
Ne gjithashtu mund të krijojmë kundërmesazhe që afirmojnë përkatësinë pa nxitur polarizim.
Ekstremizmi gjuhësor rrëmben vlerat e përbashkëta dhe i kthen ato në detyrime për të urryer e dëmtuar. Parandalimi i dhunës që në fillesë kërkon çmontimin e kësaj gjuhe përmes edukimit, transparencës dhe komunikimit proaktiv. / The Conversation - Syri.net