Misteri i arkivoleve të varur në Kinë, merr fund falë ADN-së

Një studim i ri gjenetik ka zbuluar më në fund identitetin e njerëzve misteriozë që varrosnin të vdekurit në të ashtuquajturat "arkivole të varur" në shkëmbinj në Kinë dhe në Azinë Juglindore, një traditë funerale që daton mijëra vjet më parë.

Sipas studiuesve, këta njerëz janë paraardhësit e drejtpërdrejtë të popullit Bo, një komunitet që ende jeton sot në provincën Yunnan në jug të Kinës.

Për dekada me radhë, arkeologët kishin dokumentuar qindra arkivole prej druri të vendosura në faqe shkëmbinjsh të lartë, por identiteti i saktë i njerëzve që i ndërtuan kishte mbetur i paqartë. Në këtë studim, i botuar në revistën Nature Communications, u analizua ADN-ja e 11 individëve nga katër zona të ndryshme me "arkivole të varur" në Kinë, si dhe e katër individëve nga arkivole të lashta në një shpellë në Tajlandë. Këto të dhëna u krahasuan edhe me gjenomet e 30 personave të gjallë me origjinë Bo.

Rezultatet treguan se këta njerëz kanë lidhje genetike me popullsi të periudhës neolitike që kanë jetuar 4000–4500 vjet më parë në jug të Kinës dhe në Azinë Juglindore. Po ashtu, u konstatua se popullsitë në Tajlandë kishin prejardhje të përbashkët me ata që përdornin arkivolet e varur, çka tregon një shtrirje të gjerë të kësaj kulture në rajon.

Tradita e arkivoleve të varur u praktikua për mbi 3000 vjet dhe u zhduk gjatë dinastisë Ming (shek. XIV–XVII). Studimi dëshmon se kjo kulturë ishte pjesë e popujve të lashtë që flisnin gjuhë Tai-Kadai, paraardhës të shumë komuniteteve të sotme në Kinë jugore dhe Tajlandë.

Zbulimi më i rëndësishëm është se, rreth 600 vjet pas zhdukjes së kësaj tradite, gjenetika e lidh drejtpërdrejt popullin Bo me njerëzit e varrosur në arkivolet e varur, duke zgjidhur një mister shekullor të historisë aziatike./ Livescience.