Deputetja e PL, Haxhiu: Fushata në Fier ishte masakër, qytetarët u kërcënuan me prishjen e shtëpive

Deputetja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu lëshoi akuza të rënda, lidhur me procesin zgjedhor në qarkun e Fierit, duke e cilësuar atë një "masakër zgjedhore në plot kuptimin e fjalës".

Duke folur në takimin me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, Haxhiu tha se kandidatët e opozitës u përballën me vështirësi të shumta gjatë fushatës, duke pretenduar se gara ishte tërësisht e padrejtë.

Në fjalën e saj, ajo akuzoi ministren Belinda Balluku, për mobilizim të të gjithë administratës shtetërore nga Tirana për të bërë fushatë në Fier. Për këtë arsye, sipas saj, gara elektorale nuk ishte politike, por një përballje direkte me "shtetin dhe institucionet e tij".

Për ligjvënësen e PL, këto shqetësime i ishin bërë të ditura më parë edhe OSBE-ODIHR-it dhe drejtuesve të opozitës, përfshirë strategji të dyfishtë, premtime për vende pune, privilegje dhe favore, si dhe ushtrohej presion përmes kërcënimeve për prishje shtëpish dhe largim nga puna.

Kemi një kërkesë të vazhdueshme për përcaktimin e disa njësive administrative atje si bashki, duke u bazuar edhe në numrin e banorëve. Ata na tregojnë se kanë vështirësi për të pasur shërbimet që ata kanë nevojë. Marr për shembull njësinë administrative Cakran, banorët e së cilës e kanë shumë të vështirë të marrin shërbimet e duhura dhe është një kërkesë e posaçme e tyre për ta rikthyer atë si një bashki.

Përveç kësaj doja të theksoja që përgjatë fushatës, në qarkun e Fierit, të gjithë kandidatët e opozitës kanë hasur shumë vështirësi. Ne ja kemi parathënë edhe OSBE-ODIHR-it në takimet tona, ja kam thënë edhe liderit zotit Sali Berisha, në takimin që kemi patur në Fier, që Belinda Balluku ka zbritur gjithë administratën, nga Tirana e ka çuar në Fier dhe fushatën nuk e kanë bërë kandidatët politikë, por e ka bërë administrata shtetërore. Prandaj gara në rajon ka qenë komplet e padrejtë, sepse ne jemi ndeshur përballë shtetit, përballë institucioneve dhe nuk ka qenë një garë politike.

Ne shkonim te qytetarët, i premtonim atyre se do të punonim për ta, i flisnim për idealet, për parimet, për vizionin tonë. Ndërkohë, krahu tjetër u premtonte vende pune, privilegje, ndere të caktuara, por ama edhe i kërcënonte, qoftë edhe me prishjen e shtëpive, apo me largime nga puna dhe faktet kanë treguar që ata kishin një evidencë të qartë të të gjithë njerëzve që kishin punuar për ta.

Pra, i kishin patronazhuar në damar, në detaje njerëzit. Prandaj kjo nuk ishte një fushatë zgjedhore, kjo ishte një masakër zgjedhore në plot kuptimin e fjalës. Do të bëj maksimumin patjetër. Unë jam anëtare zëvendësuese në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, kështu që çdo rekomandim i juaj, çdo sugjerim, ne jemi të hapur, kontaktet tona i keni, kështu që mund të na kontaktoni në çdo moment.