‘2T e Sakos, 100 mln euro tendera nga Balluku’/ Vajza dhe dhëndri i Fatmir Xhafajt biznes me Gramoz Sakon për park fotovoltaik

Ndoqët këtë insert-profil të një prej socialistëve më jetëgjatë, Fatmir Xhafajt, si parashtresë e këtij emisioni, ku në thelb nuk do të jetë figura apo karriera e tij, por si shembulli se si interesat financiare krijojnë influencat brenda Partisë Socialiste. Fatmir Xhafaj nuk është i vetmi që ka bërë lëvizjet e tij në Partinë Socialiste, pasi ato që cilësohen si grupe brenda selisë rozë kanë një emërues të përbashkët: blerjen nëpërmjet tenderave dhe shpërndarjes mes tyre të fondeve shtetërore. Ndërsa Xhafaj mori mandatin në vitin 2021 falë kontributit të Erion Veliajt, sot ai ka kaluar në kampin tjetër, të rivales së Veliajt në PS, Belinda Ballukut. Deri dje Xhafaj konsiderohej si deputeti më besnik i rrymës Veliaj, por sot një gjë e tillë nuk mund të thuhet më…

Për të mësuar se si lëvizin interesat politike brenda qeverisjes dhe Partisë Socialiste, mjafton të shohim ngritjen në biznes të familjarëve të tyre. Ndaj në vijim do të analizojmë një prej këtyre rasteve, ku pas këtyre interesave qëndron Fatmir Xhafaj, e këtë herë jo me kryebashkiakun Erion Veliaj, por me zv.Kryeministren Belinda Balluku, që me sa duket ka gostitur të afërmit e xhaketës së vjetër socialiste me leje për parqe fotovoltaike. E ky rast është një prej dhjetëra gostive për deputetët e ministrant socialistë në fushën e re energjetike në Myzeqe. 

Artan Sako është vëllai i ish-drejtuesit të Gardës, Gramoz Sako, ky i fundit tashmë do të jetë edhe kryetari i Bashkisë Tepelenë.
Artan Sako dhe familjarët e tij zotërojnë disa kompani, por më kryesorja është kompania 2T të cilën e ka themeluar në ortakëri me shtetasin Dritan Troksi. Vetëm kjo kompani për periudhën 2015–2018 ka përfituar rreth 4.5 milion euro nga buxheti i shtetit. Bumi i saj ekonomik ka ndodhur në periudhën 2019–2025 duke përfituar 9.9 miliardë lekë ose 99 milion euro pagesa nga thesari. Shihet qartë se biznesi i Artan dhe Gramoz Sakos ka lulëzuar me ardhjen e Belinda Ballukut në qeveri.

Dhe pikërisht nga institucionet në varësi të Belinda Ballukut, 2T e Gramoz Sakos ka qenë pjesë e “tepsisë” së tenderave edhe në Unazën e Madhe të Tiranës. Në vitin 2021, kompania 2T, së bashku me një tjetër kompani të afërt me Belinda Ballukun, Alko Impeks të Arbër Abazit, fituan tenderin 20 milionë euro për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe, që tashmë është në verifikim nga SPAK. Në garë morën pjesë edhe 5 operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët u skualifikuan të gjithë, duke ngritur flamurin e kuq mbi këtë tender gjigant.

Në maj 2022, ARRSH i dha plot 15 milionë euro pa garë kompanisë 2T, për tenderin e mirëmbajtjes së rrugëve të Rajonit Qendror dhe Jugor të vendit. Tenderi u shpall në muajin mars të vitit 2022, ndërsa duket se 15 milionë euro kanë qenë të paracaktuara për t’u fituar nga Gramoz Sako, pasi në këtë procedurë nuk mori pjesë asnjë ofertë tjetër ekonomike. Një muaj më pas, 15 milionë euro pa garë, ARRSH ia dha edhe kompanisë Alko Impex të Arbër Abazit, me të njëjtin objekt prokurimi, mirëmbajtjen e disa akseve rrugore në vend.

Belinda Balluku dhe Evis Berberi duket se kishin krijuar një besim të verbër te 2T, duke i besuar edhe 75 milionë euro tender për ndërtimin e një pjese të aksit Qukës–Qafë Plloçë. Në dhjetor 2023, ARRSH shpalli fituese 2T dhe ANK Konstruksion për ndërtimin e fazës III dhe IV të rrugës Qukës–Qafë Plloçë. Ky tender kishte vlerë 50 milionë euro. Dhe pikërisht segmenti i ndërtuar nga 2T, vetëm një muaj pas inaugurimit të rrugës, u shemb, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Jo vetëm nga ARRSH, por edhe ministri të tjera kanë qenë dorëlëshuar për kompaninë e Gramoz Sakos. Në tetor 2022, Mirela Kumbaro firmosi plot 10 milionë euro për kompaninë “2T”, për ndërtimin e Teatrit të Kukullave. Sipas dokumenteve zyrtare, në garë ka marrë pjesë vetëm një konkurrent, i përbërë nga një bashkim prej 4 operatorësh.

Të gjithë qytetarët shqiptarë i kujtojnë mirë ngjarjet e vjeshtës 2023, kur opozita e bashkuar u rikthye në Kuvend duke nisur një rezistencë ndaj qeverisë me protesta jashtë dhe brenda sallës së Kuvendit. Por teksa opozita protestonte, qeveria ia besoi kundërsulmin ndaj saj Artan Sakos, kreut të Gardës dhe njëherazi vëllait të Gramoz Sakos, pronarit të kompanisë 2T. Fillimisht, revolta e opozitarëve u përball me një qëndrim të moderuar të Gardës, e cila u angazhua vetëm për të ruajtur qetësinë. Më tej, urdhrat për gardistët u forcuan, deri sa arritën aty ku efektivët e Gramoz Sakos nuk lejojnë deputetët opozitarë të hyjnë në sallën e Parlamentit.

Paralelisht me këto zhvillime, institucionet qeveritare vijojnë të zhvillojnë tendera me vlera miliarda lekë, një pjesë e të cilave shkon në favor të shoqërisë “2T” shpk, ku 50% të aksioneve i ka Artan Sako, vëllai i kryegardistit, Gramoz Sako. “Syri Televizion” konsultoi vetëm tenderat që kjo kompani ka fituar nga shtatori i këtij viti, kohë që përkon me lëvizjen opozitare në Parlament dhe përplasjen e tyre me gardistët. Në këtë periudhë 3-mujore, “2T” shpk e Sakos ka fituar të paktën tre procedura të mëdha, me fond limit total prej gati 30 milionë euro.

Abuzimet me tenderat nga kompania 2T duket se ishin bërë aq të dukshme, sa edhe vetë institucionet në varësi të Belinda Ballukut, për një moment u detyruan të merrnin masa. Në maj të vitit 2024, Agjencia e Prokurimit Publik përjashtoi me gjashtë muaj nga pjesëmarrja në tendera kompaninë 2T. Në vendimin e marrë më 20 maj 2024, APP thotë se shoqëria ndërtuese ka paraqitur të dhëna të rreme, në bazë të të cilave është shpallur fituese në tenderat për ndërtimin e godinës së re të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, për rikonstruksionin e godinës së Hipotekës në Tiranë dhe për rehabilitimin e digës së rezervuarit të Pacomit në Përmet. Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, shoqëria “2T” ka fshehur faktin se në momentin e zhvillimit të këtyre procedurave tenderuese ka pasur në fuqi masë administrative gjobë nga Inspektorati i Punës.

Por pavarësisht këtij përjashtimi, institucionet në varësi të Belinda Ballukut nuk u ndalën duke i dhënë para Gramoz Sakos. Në tetor të vitit 2023, Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbylli një tender me vlerë 5 milionë euro për ndërhyrjen në akse rrugore të bashkive të ndryshme. Në procedurën me objekt “Ndërhyrje infrastrukturore në akset rrugore – Faza II”, morën pjesë 24 konkurrentë, nga të cilët u skualifikuan 19. Fitues u shpallën 5 operatorë ekonomikë, ndër të cilët “Fusha” e Shkëlqim Fushës, “2T” e Artan Sakos, vëllait të ish-komandantit të Gardës, Gramoz Sako dhe “ANK” e krijuar nga ish-deputeti socialist, Ndue Kola. Por pa kaluar ende 6 muaj nga nisja e kontratës, e cila në total zgjat 24 muaj, Fondi Shqiptar i Zhvillimit konstatoi se llogaritë ishin bërë gabim dhe lista e ndërhyrjeve prioritare në akset rrugore të bashkive ishte më e lartë sesa ajo që ishte parashikuar në kryerjen e tenderit. Për këtë arsye, Fondi Shqiptar i Zhvillimit zgjodhi një rrugë të shkurtër: shtimin e rreth 1 milion euro në kontratën me kompanitë fituese. Ky shtim fondi është argumentuar me procedurën e “Modifikimit të kontratës”, e cila nuk tejkalon 20% të vlerës fillestare. Fondi i Zhvillimit argumenton se nuk ka mundësi të hapë një procedurë të re tenderuese për këto objekte, pasi do të kërkonte kohën e vetë, përfshirë shpallje tenderi, vlerësime, ankesa etj., që do të vononin finalizimin e ndërhyrjeve. Në vendimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për shtimin e fondit me 1 milion euro nuk jepet asnjë argument i fortë që të justifikojë llogaritjet e bëra gabim në tenderin fillestar. Po ashtu, ndryshimi i rregullave të lojës, ndërkohë që tenderi është mbyllur, ngre pikëpyetje të tjera për rregullshmërinë e tenderit të parë me vlerë 5 milionë euro.

Por 2T e Gramoz Sakos futi duart edhe te koncesionet qindra milionë euro të Rilindjes, që tashmë janë duke u gjykuar për Grup të Strukturuar Kriminal në GJKKO. Konkretisht, 2T ka përfituar para edhe nga koncesioni abuziv prej 100 milionë eurosh i Sterilizimit. Në materialin hetimor rezulton se kompania “Sani Service”, që fitoi koncesionin 100 milionë euro të Sterilizimit, ka nënshkruar kontrata me shoqërinë “Globalsher” për të kryer procese të ndryshme të mirëmbajtjes së aparaturave. Në bazë të kësaj kontrate, “Globalsher”, në pronësi të aksionerit kryesor të koncesionit, Ilir Rrapaj, ka përfituar deri më tani rreth 6.9 miliardë lekë të vjetra dhe 300 mijë euro, të cilat përllogariten në total rreth 7 milionë euro. “Globalsher” nuk kishte asnjë lloj përvoje për shërbimet që u kontraktuan nga “Sani Service”. Për këtë arsye, ajo nënkontraktoi kompani të tjera, të cilat në përgjithësi ishin të lidhura me aksionerët e kompanisë koncesionare, Ilir Rrapaj dhe Umberto Stacini. Ndër nënkontraktorët e “Globalsher” është edhe shoqëria “2T” shpk, e cila njihet më së shumti për faktin se një prej ortakëve të saj është vëllai i komandantit jetëgjatë të Gardës së Republikës, Gramoz Sako.

Të dhënat hetimore zbuluan se kompania koncesionare “Sani Service” i ka dhënë mbi 7 milionë euro kontraktorit “Globalsher”, po në pronësi të Ilir Rrapaj. Ndërkohë, “Globalsher”, për shërbimet që ka marrë përsipër, ka paguar nënkontraktorët në një vlerë 44 milionë lekë të reja ose rreth 400 mijë euro, fakte këto të denoncuara edhe më parë në investigimet tona. Këto janë vetëm disa nga tenderat dhjetëra milionë euro ku 2T është futur në garë dhe është shpallur fituese me hije të forta dyshimi edhe për abuzim, pasi tenderat janë vlerësuar me flamur të kuq.