Konfiskohet toka e përfituar nga veprimtari kriminale në Ishull Shëngjin, nis procedimi penal për pushtim prone

Vijojnë hetimet dhe veprimet për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga veprimtari kriminale. Tre pasuri të llojit “Arë”, me sipërfaqe totale 43 383 m², në fshatin Ishull Shëngjin, janë konfiskuar në zbatim të vendimit të GjKKO-së, të lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Po ashtu, për veprën penale “Pushtimi i tokës” është referuar për procedim shtetasi K. P., banues në Milot. Materialet procedurale janë dorëzuar pranë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

Konfiskohen 3 pasuri të llojit “Arë”, me sipërfaqe totale 43 383 m², të ndodhura në fshatin Ishull Shëngjin.

Në zbatim të vendimit të GjKKO-së, i lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ekzekutuan vendimin për konfiskimin e tri pasurive të llojit “Arë”, me sipërfaqe totale 43 383 m².

Pasuritë, të përfituara nga veprimtari kriminale, ndodhen në fshatin Ishull Shëngjin.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. P., banues në Milot, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.