Vrasja e Mondi Mëhallës/ Sot gjyqi ndaj ish-ortakut të biznesmenit dhe rojës së karburantit! Seanca me dyer të mbyllura

Seanca për vlerësimin e masave të sigurimit ndaj Xhino Agos dhe Kujtim Pishës, të cilët u arrestuan pas vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla, mbahet sot në Gjykatën e Elbasanit.

Seanca nisi në orë 10:00 dhe do të mbahet me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së hetimeve dhe nevojës për ruajtjen e sekretit hetimor.

Ndërkohë, lidhur me Nevzat Spahon, po ashtu i prangosur, nga verifikimet në sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore nuk rezulton që Prokuroria e Elbasanit të ketë depozituar një kërkesë për caktim mase sigurimi. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa priten zhvillimet nga seanca e 5 dhjetorit.

Si ndodhi ngjarja? 

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover.

Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

LEXO EDHE: SYRI siguron VIDEO-n e vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.

Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.