‘Kabineti i të pandehurve’, Strazimiri: Rama, koka e bandës kriminale, sa kohë nuk preket ...

Në një analizë të ashpër të situatës aktuale politike, deputeti demokrat Gent Strazimiri i ftuar në emisionin e mëngjesit 'Kafe Shqeto'  në Syrit tv, e ka cilësuar qeverinë si një “kabinet të pandehurish”, duke theksuar se ndryshimi nuk mund të pritet nga institucionet e drejtësisë, të cilat sipas tij, kontrollohen plotësisht nga kryeministri Edi Rama.

I pyetur mbi rolin e opozitës në parlament, Strazimiri u shpreh se fuqia e saj përcaktohet në ditën e zgjedhjeve dhe se pas 11 majit, të cilat ai i konsideron “zgjedhje të vdekura” bazuar në raportin e OSBE/ODIHR, hapësira e veprimit parlamentar është e kufizuar. Sipas tij, opozita bën ç'është e mundur për të parandaluar “të pabërat” e mazhorancës, por theksoi se zgjidhja e vërtetë kërkon një ndërgjegjësim më të gjerë shoqëror.

Duke iu përgjigjur pyetjes se moderatorit Flavio Qarri, nëse largimi i Ramës do të vijë nga vota apo nga prangat, Strazimiri ishte skeptik ndaj një ndërhyrjeje të drejtësisë. “Po të ishte për të ikur nga pranga, do të kishte ikur që në momentin e parë,” deklaroi ai, duke pretenduar se kryeministri kontrollon sistemin. “SPAK-un e kam bërë unë, nuk e kanë bërë amerikanët, gjithçka në drejtësinë e re është e imja,” citoi ai një qëndrim të Ramës, duke shtuar se drejtësia “ka shenjat e gishtave të tij të pista e të kriminalizuara.” Sipas Strazimirit, edhe pse SPAK ka marrë të pandehur thuajse të gjithë kabinetin, nuk guxon të prekë “kokën e bandës kriminale”.

E vetmja rrugëdalje, sipas tij, është një reagim i fortë qytetar. Ai e përshkroi shoqërinë shqiptare si “të nënshtruar” dhe me “sensorë të vdekur”, duke përfshirë median, sindikatat dhe shoqërinë civile, në kontrast me reagimet qytetare në vende si Greqia apo Spanja. Strazimiri e quajti regjimin aktual “otomano-mafioz” dhe theksoi se ndryshimi vjen vetëm duke ndjekur shembullin e shoqërive të lira, siç janë ato franceze, gjermane apo italiane.

Lidhur me skandalin ndërkombëtar të Federica Mogherinit dhe shumës prej 17 milionë eurosh, Strazimiri e sheh atë si “majën e ajsbergut” të korrupsionit evropian. Ai argumentoi se pikërisht “çanta me lekë” është arsyeja që Evropa dhe zyrtarë të lartë të saj heshtin përballë situatës në Shqipëri. Ai i lidhi figurat e përfshira, përfshirë Mogherinin dhe Marta Kos, me Internacionalen Socialiste, duke sugjeruar një rrjet të gjerë interesash që mbron qeverinë shqiptare.

Flavio Qarri: Gent Strazimiri të kemi bezdisur në këtë mëngjes.

Gent Strazimiri: Përshëndetje!

Flavio Qarri: Pyetja është e thjeshtë ore. Ç'po bëni në atë kuvend? Asgjë që mund të lehtësojë disi jetën e shqiptarëve të zakonshëm, por po ngecim tek ca çmendurira të jashtëzakonshme me njerëz që nuk duan të, zbresin nga karrigja për asnjë lloj arsye dhe rrethane.

Gent Strazimiri: Po ajo që ne mund të bëjmë në kuvend vendoset ditën e zgjedhjeve. Fuqia që ne kemi në kuvend vendoset ditën e dielë, në datën 11 maj. Nga aty e mbrapa pastaj ne bëjmë aq sa kemi mundësi dhe aq sa është konfiguracioni brenda në kuvend. Siç e dini me 11 maj nuk pati zgjedhje. OSBE-ODIHR ka nxjerrë një raport që praktikisht i konsideron zgjedhje të vdekura. Ka nxjerrë dhe autopsinë, dhe shkakun e vdekjes së tyre. Kështu që situata nuk është se mund të ndryshonte me performancën e opozitës në parlament.

Ne sigurisht bëjmë tonën duke u përpjekur të parandalojmë me argumenta politike, aq sa janë argumentat dhe instrumentat parlamentare, të pabërat që kanë ndërmend dhe kishin planifikuar dhe në fakt dihesh që do të bënin, por më shumë se kaq nuk mund të bëjmë.

Kështu që mendoj që siç e kam thënë vazhdimisht, është më shumë një nevojë e shoqërisë për të menduar se si duhet ta zgjidhin, si të fuqizojë më shumë mekanizmat e opozitës, se si të... unë do të doja të të shikonim të gjithë nevojën, domosdoshmërinë për t'i rrëzuar njëherë e mirë nga pushteti duke rikthyer votën e lirë.

Flavio Qarri: Megjithatë, përtej një rrëzimi politik nga pushteti të mazhorancës, mos ndoshta do të kemi një rrezik, një rrëzim juridik zoti Strazimiri sepse Belinda Balluku dhe një fakt që po kalon pak jashtë vëmendjes së mediave, vizita tre orëshe e drejtoreshës së AKSHI-t në SPAK, janë qartazi dhe të gjithë e dimë, besoj ka një konsensus për këtë dhe një pranim fakti, që janë të gjitha veprime dhe afera ku është dora e kryeministrit në fakt në vetvete. Rama do ikë nga vota apo nga, le të themi nga pranga?

Gent Strazimiri: Po po të ishte për të ikur nga pranga do të kishte ikur që në momentin e parë. Është tashmë një qeveri të pandehurish, ai kryeson një kabinet të pandehurish, nuk është më një kabinet ministrash. Siç thotë dhe vetë me krenari, SPAK-un e kam bërë unë, nuk e kanë bërë amerikanët, gjithçka në drejtësinë e re është e imja. Pra do të thotë, drejtësia ka shenjat e gishtave të tij të pista, të kriminalizuara, në të gjithë fytyrën e saj dhe në të gjithë trupin e saj.

Ka të drejtë nga një pikëpamje sepse në fund të fundit, ajo që unë vazhdimisht e kam ngritur si pyetje, kur një, një sasi kaq e madhe ministrash, zyrtarësh të lidhur direkt me kryeministrin, abuzojnë në këtë mënyrë me miliarda me buxhetin e shtetit, në qoftë se kryeministri nuk jep dorëheqje dhe nuk ndjen se po drejton një bandë keqbërësish, jo më një kabinet ministrash, është detyrë e prokurorisë ta thërrasë minimalisht, jo si person që ka përgjegjësi, se minimalisht është neglizhencë në detyrë, kur thotë kryeministri nuk di ç'ka ngrënë mbrapa shpinës time i gjithë kabineti. Ajo është neglizhencë në detyrë. Kryeministri me kushtetutë propozon dhe garanton, investohet tek kabineti i ministrave pikërisht që të mos ndodhin këto gjëra.

Nëse një nga ministrat bën diçka, prandaj bien qeveritë në të gjithë botën. Po këtu tek ne kjo punë nuk ndodh dhe SPAK-ut nuk i shkon ndërmend. E ka marrë të pandehur të gjithë kabinetin. SPAK-u pandeh që i gjithë kabineti i ministrave me të drejtë, përfshi dhe drejtorët kryesorë siç thatë ju, Karçanaj, janë hajdutë, kanë vjedhur, por nuk pandeh kurrë se Edi Rama është pjesë e kësaj afere apo nuk e thërret kurrë as për të marrë, për ta marrë siç është proceduralisht, person në dijeni të fakteve. SPAK-ut nuk i intereson se Edi Rama ka qenë aty. Edhe në qoftë se ka qenë nuk dinte gjë, nuk ka parë gjë, nuk ka folur asgjë. Kështu që nga kjo pikëpamje unë nuk mendoj se do të ketë një revolucion juridik.

Ajo që ju prisni, revolucioni juridik, ka vdekur ditën kur kjo mazhorancë e vetme ka, ngritur me duart e saj të pista, pikërisht këtë sistem drejtësie. Në qoftë se mendoni se duke futur në burg se dhe kjo është pak, është kthyer në qesharake. U doli urdhër arresti për Ahmetajn, atë sekondë njerëzit pyesnin, ore çfarë do bëhet me Veliajn? Doli dhe urdhër arresti për Veliajn, të nesërmen nëpër kafe, do bëhet gjë për Ballukun? Në qoftë se mendoni se ky nuk gjen dot një Balluk tjetër, një Veliaj tjetër, një Karçanaj tjetër apo ku di unë se çfarë, kjo është, domethënë, kulmi i naivitetit. Këtu çështja nuk është te këta keqbërës, që janë faktikisht të gjithë keqbërës dhe që i dimë të gjithë. Këtu në qoftë se nuk, nuk preket koka e bandës kriminale, e këtij kabineti të pandehurish, që është kryeministri, këtu nuk kemi asnjë gjë, mos prisni gjë nga drejtësia. Dhe me sa duket nuk ka ndërmend ta prekin.

E vetmja mënyrë është ajo që, që me të cilën ndërrojnë qeveritë francezët, gjermanët, italianët, ku di unë, të gjithë bota e qytetëruar. Në qoftë se qeveria nuk, nuk zë mend dhe vazhdon të vjedhë dhe të mos i lejojë të votojnë siç duhet, ka mënyra, ato që përdor bota demokratike për t'i, për ta rrëzuar qeverinë.

Flavio Qarri: Ndërkohë, meqë jemi te bota demokratike, Greqia është në kolaps nga grevat. Spanja është në kolaps sepse një anëtar i partisë në pushtet është akuzuar, që është dhe deputet sigurisht, është akuzuar për tendera në kohën e pandemisë. E kanë përjashtuar që në fillim të vitit nga partia, edhe prapë vazhdojnë protestat atje. Ka një gjë ndryshe me ne?

Gent Strazimiri : Është gjithçka ndryshe. S'ke asnjë lidhje as me Spanjën, as me Greqinë, prandaj thashë bota e qytetëruar. Këtu je, vazhdon të jesh në një otomanizëm,  me një pasha në krye, ku të gjithë të tjerët domethënë vijnë rreth e qark tij dhe kanë frikë se mos po e... është një lloj regjimi otomano-mafioz. Në vetvete s'ka asgjë, s'ka asnjë lidhje me shtetin ligjor, nuk ka asnjë lidhje me zbatimin e ligjit, nuk ka asnjë zgjidhje, bile as me, as me, me sensorët, po themi, normalë të një shoqërie normale të qytetëruar, shoqërie demokratike.

Kjo është një shoqëri e nënshtruar, nuk ka asnjë lidhje me liritë, që kanë, që gëzon, që gëzojnë vendet evropiane, vendet e qytetëruara, vendet e NATO-s në qoftë se doni po i quajmë. Këtu raporti i OSBE-ODIHR-it të ka dhënë autopsinë jo vetëm thjesht të procesit të zgjedhjeve, po të ka dhënë autopsinë edhe të, sensorëve të shoqërisë, që janë të vdekur të gjithë, duke nisur, duke përfshirë do të thoja, edhe median, gazetarët. Në të gjithë botën është interesant, gjoja nëpër filma është tashmë klishe ajo. Një politikani për ta trembur i thua shiko do shkoj t'ia jap medias këtë që thua ti. Gazetari është shpëtimi i shoqërisë. Del në pah korrupsioni apo maskarallëku i politikanit dhe gjithçka ndërrohet. Në fund fare ashtu zgjidhet filmi, gazetari fiton dhe politikani del në hekura. Këtu nuk është kjo e mundur. Këtu e vetmja shpresë i kanë njerëzit për ta kërcënuar, thonë shiko do t'ia çoj Sali Berishës ta nxjerrë te Facebook-u i tij. Kështu që nga kjo pikëpamje, një shoqëri që ka humbur të gjithë sensorët, kur thatë ju sindikatat, përfshi mediat dhe gazetarët dhe gjithçka tjetër, është kollaj t'i thuash opozitës, ti çfarë po bën. Kështu që në qoftë se shikojmë gishtin dhe nuk shikojmë, po themi, degjenerimin në të cilin jemi, kadavrën në të cilën është kthyer, është kthyer kjo shoqëri, nuk kemi zgjidhje. E vetmja gjë, nuk duhet të shpikim rrotën. E vetmja gjë, në qoftë se duam të mbrojmë lirinë dhe të rikthehemi të jemi një vend demokratik dhe shtet ligjor, do të bëjmë atë që bën çdo shoqëri e lirë. I përmendët ju. Spanja, Greqia, po unë do thoja dhe më keq akoma. Rumania me Bullgarinë, Serbia është duke u treguar shoqëri shumë më sensitive, shumë më e ndjeshme ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë sesa ne.

Flavio Qarri: Mendoni se jeni në një rrugë të duhur për këtë?

Gent Strazimiri: Për ta ndryshuar këtë? Unë besoj se po. Opozita politike e këtij vendi nuk po pushon asnjë sekondë. A është e mjaftueshme? Po të kishte qenë e mjaftueshme një parti politike apo një opozitë politike, bota demokratike nuk do të kishte përpunuar mekanizma të tjera: shoqëri civile, intelektualë të angazhuar, media dhe gazetarë, e sensorë të tjerë që e mbajnë shoqërinë në këmbë për të, për t'i lidhur duart dhe këmbët, një qeverie zullumqare. Ne nga të gjithë këta elementë që duhet të ketë demokracia, kemi në këmbë sot vetëm opozitën politike, jo opozicion tjetër. Është e pamjaftueshme, sigurisht…