'Nisi nga një koment'/ 15 vjeçari humb jetën pas sherrit me thikë, nëna në gjendje të rëndë psikologjike

Pak ditë më parë, në qytetin e Durrësit, disa gjimnazistë janë konfliktuar, duke përfunduar me plagosjen rëndë të 15-vjeçarit, Erjon Bobo. Fatkeqësisht, nga plagët e marra, i riu nuk arriti t’i mbijetojë dhe ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Gazetarja Albana Aliaj raporton për Syri TV nga vendi i ngjarjes se familja e 15-vjeçarit kishte disa vite që kishte ardhur në Durrës dhe jetonte me qira në lagjen 14, në zonën e ish-Kënetës, aty ku ndodhi ngjarja tragjike. Ngjarja filloi si një konflikt verbal në rrjetet sociale, “TikTok”, për një koment, dhe më pas agravoi duke u kthyer në përleshje fizike në shkollë.

Aliaj theksoi se, gjatë përleshjes, autori i ngjarjes përdori thikën duke goditur Erjon Bobon një herë në zemër dhe dy herë në gjoks. Një ditë më parë, familjarët kishin kërkuar transferimin e tij jashtë vendit për trajtim mjekësor, por fatkeqësisht kjo nuk u realizua pasi ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme.

Shtatë ditë më parë, pas ndërhyrjes kirurgjikale fillestare në spitalin rajonal të Durrësit, Erjon Bobo u dërgua me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza” për trajtim të mëtejshëm. Ai u transportua drejt sitalit të Durrësit nga mamaja e tij dhe një komshi, të cilët njoftuan menjëherë edhe policinë për ngjarjen.

LEXO EDHE: 

U plagos nga bashkëmoshatari/ Ndërron jetë pas 10 ditësh 15-vjeçari në Durrës

Bëhet me dije se nëna e të ndjerit ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike për shkak të asaj që ka parë në momentet e para, ndërsa dy shokët e viktimës treguan se konflikti kishte nisur si një situatë e vogël dhe nuk prisnin që të përfundonte në këtë tragjedi.

Gazetarja Albana Aliaj raporton se familja Bobo ishte  transferuar nga Bulqiza në lagjen 14 prej disa kohësh dhe  nuk kishte konflikte të mëparshme. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugicën ku jetonin të dy familjet, pranë shtëpisë së Erjon Bobos. Sipas burimeve, vetëm tre shtëpi ndanin familjet, të cilat njiheshin prej kohësh, por asnjëherë nuk kishin pasur mosmarrëveshje.

Nga informacionet e siguruara, institucionet raportojnë se kanë kryer kontrolle të shumta në shkolla, por realiteti në terren duket se nuk përputhet me standardet e larta të sigurisë dhe edukimit të fëmijëve të mitur.