Gazeta amerikane: Sorosi e shkatërroi drejtësinë penale me prokurorët e tij të majtë

Nga Josh Appel, NEW YORK POST

Këtë javë, një artikull në ‘Washington Post’ doli në mbrojtje të prokurorëve të majtë, të cilët janë zgjedhur në detyrë nga fondet e dhëna nga miliarderi George Soros, duke i paraqitur këta prokurorë si reformatorë të mirëqëlluar, të sulmuar nga republikanë racistë.

Por ndërsa mbështetësit e majtë të Sorosit entuziazmohen nga mënyra se si financimet e tij kanë transformuar në mënyrë thelbësore drejtësinë penale në mbarë Amerikën, ja çfarë nuk pranojnë: rezultatet kanë qenë katastrofike.

Si nëpërmjet donacioneve direkte, ashtu edhe atyre indirekte, Soros ka hedhur para në një numër marramendës garash për Prokurorë Qarku në të gjithë vendin.

Deri në vitin 2023, prokurorët e majtë kishin juridiksion mbi të paktën 20% të popullsisë së SHBA-së dhe mbi gjysmën e amerikanëve që jetojnë në qytetet e mëdha, raporton Matt Palumbo në librin e tij “The Heir”.

Prokurorë të financuar nga Soros kanë fituar në Tampa Bay, Denver, Orlando, Virxhinian e Veriut, Portland, Los Anxheles, San Françisko, Boston, Filadelfia, St. Louis, Dallas dhe shumë të tjerë; 126 prej tyre kanë mbajtur postin në një moment të caktuar, sipas Media Research Center.

Gjatë dekadës së fundit, vetëm komiteti politik ‘Justice and Public Safety’ i Sorosit ka shpenzuar dollarë në të paktën 62 zgjedhje paraprake dhe të përgjithshme, sipas raportimit të ‘Washington Post’, duke fituar 77% të rasteve — pa pasur nevojë të investojë shumë, pasi këto zgjedhje vendore zakonisht kanë shpenzime të ulëta.

Por pika kryesore nuk është madhësia e investimit të Soros-it në çdo garë; është shpeshtësia e përfshirjes së tij dhe shtrirja kombëtare e saj.

Që në vitin 2016, ‘Politico’ shkruante për “ristrukturimin e qetë të sistemit amerikan të drejtësisë” nga Sorosi, duke përshkruar sesi ai e kuptoi se garat për Prokuror Qarku ishin një mundësi e pashfrytëzuar për të rindërtuar qytetet sipas ideologjisë së tij majtiste.

Sorosi e kuptoi se këto gara janë veçanërisht të cenueshme ndaj ndikimit të jashtëm: pak votues e dinë kush është prokurori i tyre i qarkut, pavarësisht rolit të madh që ka ky funksionar në drejtimin e zbatimit të ligjit dhe krimit.

Siç pranoi zëdhënësi i Sorosit, Michael Vachon: “Ne nisëm një lëvizje… reagimi i menjëhershëm, i ashtuquajturi qëndrim i ashpër ndaj krimit, është diskredituar në shumë komunitete”.

Ai ka të drejtë, dhe rezultatet janë katastrofike.

Besimi themelor që këta prokurorë të majtë ndajnë është se ndryshimi social sistemik, e jo ndjekja penale agresive, është përgjigjja ndaj kriminalitetit.

Kjo ideologji u përshtat në mënyrë perfekte me ngritjen e politikave “woke,” të cilat fajësuan sistemet dhe u fokusuan mbi identitetin mbi çdo gjë tjetër.

Kjo është arsyeja pse bërthama e reformës së tyre radikale të drejtësisë penale përfshinte eliminimin e garancisë me para, mosndjekjen penale të shkeljeve të vogla dhe kufizimin drastik të përdorimit të rritjes së dënimit — si p.sh. ligji “tre goditje”.

Kjo nënkuptonte eliminimin efektiv të drejtësisë penale, duke kthyer më shumë kriminelë — madje edhe recidivistë — përsëri nëpër rrugë.

Javën e kaluar në Çikago, Lawrence Reed, një person me 72 arrestime dhe tetë dënime për krime të rënda, i vuri flakën një gruaje të re.

Në Denver muajin e kaluar, shkelësi i përsëritur Charles Cooley u fut me forcë në shtëpinë e Kevin dhe Sarah Root. Pasi pagoi një garanci prej vetëm 500 dollarësh, Cooley tani është përsëri i lirë (“duke pritur gjyqin”).

Dhe këto histori tronditëse nuk janë raste të izoluara; ato pasqyrojnë të dhënat që tregojnë se si prokurorët e mbështetur nga Sorosi e kanë përkeqësuar kriminalitetin.

Në vitin 2021, Filadelfia — nën prokurorin e Sorosit, Larry Krasner — theu rekordin e saj historik për vrasje, ashtu si edhe 12 qytete të tjera me prokurorë progresistë.

Në Çikago, nën prokuroren Kim Foxx, kriminaliteti i raportuar në total u rrit me 369% mes viteve 2019 dhe 2023, kryesisht për shkak të rritjeve të mëdha në krimet ndaj pronës, si vjedhjet e automjeteve.

Qytete të tjera të mëdha panë rritje të ngjashme.

Në Oregon, nën drejtimin e prokurorit Mike Schmidt, të financuar nga Sorosi, politikat e dekriminalizimit të drogës përkuan me një rritje të madhe të vdekjeve nga mbidoza, të cilat u trefishuan nga 280 në vitin 2019 në 956 në vitin 2022.

Dhe, siç ka vënë në dukje Rafael Mangual, në vendet ku krimi i dhunshëm ka rënë, kjo i atribuohet kryesisht efektit pengues të rritjes së pranisë policore.

Shumë votues kanë filluar të kuptojnë rolin e madh që prokurori i qarkut ka në sigurinë publike dhe po kthehen kundër reformave të drejtësisë penale.

George Gascón, prokurori i Los Anxhelesit që i mbijetoi disa përpjekjeve për shkarkim, më në fund u rrëzua në vitin 2024, dhe të paktën 21 prokurorë të lidhur me Soros janë zëvendësuar nga pasues “të ashpër ndaj krimit” që nga viti 2022.

Me pak fjalë, “lëvizja” e Soros-it ka dështuar.

Pyetja është sa gjatë do të duhet të vuajnë komunitetet para se prokurorët progresistë ta pranojnë këtë.