SOS/ Nga nxehtësia ekstreme te shëndeti i dobët mendor: Si po e dëmton ndryshimi i klimës vendin e punës
Më shumë se një miliard punëtorë janë të ekspozuar ndaj nxehtësisë së lartë - ndërsa një e treta përjetoi efekte negative shëndetësore.
Vendi i punës po bëhet me shpejtësi 'viktima e radhës' e ndryshimeve klimatike, me temperaturat në rritje që kërcënojnë miliona punëtorë.
Moti ekstrem e përfshiu Evropën në një situatë vdekjeprurëse këtë verë, ndërsa temperaturat rekord nxitën zjarre të papara dhe thatësira të mëdha në të gjithë kontinentin.
Shkencëtarët dhe epidemiologët kryesorë zbuluan se ndryshimi i klimës ishte përgjegjës për trefishimin e numrit të vdekjeve nga valët e të nxehtit në Evropë, duke çuar në 16,500 vdekje shtesë.
Nxehtësia ekstreme është 'dhunë në vendin e punës'
Nga rreth 24,400 vdekje të lidhura me valën e të nxehtit të regjistruara në Evropë këtë verë, ishte vdekja e Montse Aguilar që tërhoqi vëmendjen e botës.
Pastruesja e rrugëve 51-vjeçar, u shemb në rrugët e Barcelonës në qershor, pas një turni të lodhshëm pune në temperaturë prej 35℃, ndërsa qyteti ndodhej nën gjendje alarmi.
Vdekja e Aguilar shkaktoi protesta lokale, me qindra pastrues dhe qytetarë të shqetësuar që marshuan në qendër të Barcelonës, të armatosur me pankarta ku shkruhej: “Nxehtësia ekstreme është gjithashtu dhunë në vendin e punës”.
Edhe para marshimit, Bashkia e Barcelonës nxori rregulla të reja për katër kompanitë e kontraktuara për të pastruar rrugët e saj.
Kjo përfshinte pajisjen e punëtorëve me uniforma të bëra nga material që lejon frymëmarrjen, së bashku me një kapelë dhe krem kundër diellit, si dhe vendosjen e pushimeve të rregullta për të marrë ujë çdo orë. Puna e pastrimit në qytet tani do të pezullohet kur temperaturat të arrijnë 40℃ .
Një rrezik kryesor për vendin e punës
Një raport i ri nga International SOS ka identifikuar nxehtësinë ekstreme të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, si një nga rreziqet kryesore që kërcënojnë vendin e punës.
Ai citon një studim të kohëve të fundit nga Lancet Countdown, i cili zbuloi se pothuajse gjysma e popullsisë globale dhe më shumë se një miliard punëtorë janë të ekspozuar ndaj episodeve të nxehtësisë së lartë, me rreth një të tretën e të gjithë punëtorëve të ekspozuar që përjetojnë efekte negative shëndetësore.
Raporti argumenton se matja e temperaturës së ambientit (e cila përjashton faktorë si era dhe lagështia, të cilët mund t'i bëjnë temperaturat të ndihen shumë më të larta nga ç'janë në të vërtetë), nuk është më një mënyrë e përshtatshme për të vlerësuar rrezikun që i kanoset fuqisë punëtore. Ai parashikon se në të ardhmen do të vendosen më shumë rregullore në vendin e punës.
“Punëdhënësit nuk do të jenë në gjendje të mbështeten vetëm te temperaturat e ajrit për t’i udhëzuar se kur duhet të rregullojnë aktivitetet e punës”, shton raporti.
"Ata duhet të kenë politika për nxehtësinë ekstreme dhe veprime të lidhura me të, të cilat përputhen me këto rregullore në zhvillim e sipër."
Megjithatë, përshtatjet në vendin e punës mund të nxjerrin në pah sfidat e tyre të sigurisë. Për shembull, puna e natës me ndriçim në industri të tilla si bujqësia mund t'i ndihmojë punëtorët të shmangin nxehtësinë ekstreme - por dukshmëria e ulët dhe shkëlqimi nga dritat mund të bëhen të rrezikshme.
Nxehtësia ekstreme ndikon në produktivitetin e punëtorëve
Edhe kur nuk përbën kërcënim për jetën, temperaturat në rritje mund të kenë një ndikim të rëndësishëm tek punonjësit.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), produktiviteti i punëtorëve bie me dy deri në tre përqind për çdo gradë mbi 20℃.
Ai paralajmëron se për të përballuar një turn pune tetë-orësh, temperatura e trupit, e cila zakonisht është midis 36.5℃ dhe 37.5℃, nuk duhet të kalojë 38℃.
“Çrregullimet e mundshme në produktivitet prekin miliona njerëz në sektorë të ndjeshëm ndaj nxehtësisë, siç janë bujqësia dhe ndërtimi, por gjithashtu dëmtojnë prodhimin primar dhe tregtinë, ndërsa krijojnë efekte të rëndësishme anësore në ekonomi”, shton OBM.
Studiuesit paralajmërojnë se kjo rënie si në furnizimin me punë ashtu edhe në produktivitet parashikohet të përkeqësohet për shkak të ndryshimeve klimatike në të ardhmen në shumicën e pjesëve të botës - por do të ndikojë në mënyrë disproporcionale në vendet me të ardhura të ulëta , ku efektet në punë parashikohen të jenë të larta.
Ndryshimi i klimës dhe ndikimi i tij në shëndetin mendor të punëtorëve
Ndërsa lidhja midis shëndetit mendor dhe krizës klimatike është vërtetuar mirë, dihet më pak për marrëdhënien midis shëndetit mendor dhe sjelljeve në vendin e punës brenda një konteksti mjedisor.
Megjithatë, një studim i vitit 2022 i botuar në Occupational Medicine sugjeron që ndikimi psikologjik i ngjarjeve ekstreme mund të çojë në rritje të tensionit në punë, më shumë mundësi për largim nga puna dhe armiqësi në vendin e punës.
“Stresi për motin ekstrem mund të pengojë gjithashtu aftësinë për të marrë vendime thelbësore në lidhje me punën, dhe për ata që punojnë në sektorin mjedisor. Shqetësimet për klimën mund të çojnë në mbingarkesë në punë”, thotë studimi./ Euronews.