183 diamante dhe 2 safirë/ Policia 24 orë ‘roje’ hajdutit në paraburgim, në pritje të rishfaqjes së varëses Fabergé

Policia e Zelandës së Re tha të premten se ka gjetur një varëse Fabergé, pas gjashtë ditësh vëzhgimi nga afër të burrit i cili kishte gëlltitur bizhuterinë në një dyqan në Auckland.

Ata thanë se varësja u gjet të enjten në mbrëmje, pasi doli nga trakti gastrointestinal i të dyshuarit në mënyrë natyrale pa ndërhyrje mjekësore.

Varësja me vezë Fabergé, me edicion të kufizuar, u frymëzua nga filmi i James Bond-it të vitit 1983 “Octopussy”.

Një foto e policisë së Zelandës së Re të premten tregonte një dorë me doreza që mbante varësen e gjetur dhe zinxhirin e saj të gjatë prej ari, me një çmim që tregonte vlerën e bizhuterisë prej 33,000 dollarësh të Zelandës së Re (19,000 dollarë).

Burri u arrestua brenda dyqanit të bizhuterive Partridge në Auckland më 28 nëntor, pak pas vjedhjes së dyshuar.

Ai u paraqit në gjykatë më 29 nëntor, por nuk u deklarua fajtor për akuzën e vjedhjes. Që atëherë, ai ka qenë në paraburgim dhe oficerët ishin vendosur 24 orë në mbikqyrjen e tij për të pritur që provat të rishfaqeshin.

Burri 32-vjeçar do të paraqitet në Gjykatën e Qarkut të Auckland të hënën dhe do të mbetet në paraburgim policor deri atëherë.

Uebsajti i dyqanit thotë se veza, një nga vetëm 50 të prodhuara, është punuar prej ari, është lyer me smalt të gjelbër dhe është e zbukuruar me 183 diamante dhe dy safirë. 

“Veza hapet për të zbuluar një oktapod prej ari të verdhë 18 karatësh të vendosur brenda, i zbukuruar me unaza diamanti të bardhë dhe sy diamanti të zinj”. “Surpriza me oktapodin i bën homazh antagonistit me të njëjtin emër në qendër të filmit ‘Octopussy’.”/ AP.