Ura në Bardhaj të Shkodrës e dëmtuar prej 2 javësh, banorët: Për votime na gjejnë, tani nuk interesohen për ne
Prej dy javësh, ura që lidh zonën e Bleran-Bardhaj në Bashkinë Shkodër është dëmtuar rëndë, duke penalizuar qarkullimin e mbi 150 banorëve, mes tyre fëmijë që detyrohen të ecin disa minuta në këmbë çdo mëngjes për të arritur në një pikë të sigurtë ku i pret furgoni i shkollës. Për shkak të rrezikshmërisë së urës, kalimi i automjeteve, përfshirë edhe furgonët e transportit të nxënësve, është ndaluar.
Ura shërben si lidhje për tre lagje, ndërsa banorët shprehen se situata po vështirëson jetën e përditshme dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Shkodër.
Banorët ankohen se institucionet lokale nuk kanë marrë asnjë masë, pavarësisht njoftimeve dhe ankesave të vazhdueshme nga komuniteti.
“Për punë votimesh na gjejnë, ndërsa tani për urën nuk interesohen për ne,” shprehen banorët e zonës, duke theksuar se njerëzit po rrezikojnë përditë për të kaluar në një urë që mund të shembet.
Edhe banorët e tjerë pranë urës thonë se situata po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët që kalojnë aty çdo ditë.
Deri tani, nga ana e pushtetit lokal nuk është marrë asnjë masë konkrete për riparimin e urës, ndërsa banorët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për të shmangur rrezikun dhe për të rikthyer normalitetin në qarkullim.