VIDEO/ Ushtria amerikane vret 4 persona në sulmin ndaj një anijeje të dyshuar me drogë në Paqësorin Lindor

Ushtria amerikane tha të enjten se vrau katër persona në një sulm ndaj një anijeje të dyshuar që merrej me trafik droge në Paqësorin Lindor, duke e përshkruar objektivin si një anije e një organizate e shpallur terroriste dhe që merrej me trafikun e narkotikëve.

Komanda Jugore e SHBA-së njoftoi për operacionin në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, duke thënë se veprimi u ndërmor me urdhër të Sekretarit të Luftës të SHBA-së, Pete Hegseth.

Në deklaratë thuhet se Shërbimet e inteligjencës kishin treguar se mjeti “transportonte lëndë narkotike të paligjshme dhe po kalonte tranzit përgjatë një rruge të njohur të trafikut të drogës në Paqësorin Lindor.”

"Katër narko-terroristë meshkuj në bordin e anijes u vranë", thuhet në deklaratë.

Që nga shtatori, SHBA-të kanë kryer të paktën 22 sulme ajrore si në Detin e Karaibeve ashtu edhe në Oqeanin Paqësor Lindor ndaj anijeve të dyshuara për transportimin e narkotikëve, duke vrarë të paktën 87 persona.

Sulmi i fundit erdhi mes diskutimeve se Hegseth urdhëroi vrasjen e të mbijetuarve në një sulm pasues ndaj një anijeje të dyshuar për drogë në Detin e Karaibeve në shtator, të cilën administrata e hedh poshtë.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi sulmin e dytë, por mohoi që Hegseth urdhëroi vrasjen e të mbijetuarve. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se Hegseth autorizoi komandantin e Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së, Admiral Frank Bradley, të kryente sulme më 2 shtator dhe drejtoi opere dytë, duke vepruar "brenda autoritetit të tij dhe ligjit".

SHBA-të kanë zgjeruar operacionet ushtarake në të gjithë Amerikën Latine në muajt e fundit, duke vendosur marinsat, anije luftarake, avionë luftarakë, bombardues, nëndetëse dhe dronë./ AA.