‘Numri 2 i shtetit ka rrujt lekët si skifter’/ Gazetari Qarri ngre tonet: Si devijohet vëmendja nga vjedhjet...
Gjatë një debati në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli është diskutuar për skandalin Balluku – Rama.
Sipas analistëve të pranishëm në studio, mazhoranca po përdor një makinë të centralizuar komunikimi për të zhvendosur diskutimin nga akuza për vjedhje masive në debate teknike ligjore mbi imunitetin e zyrtarëve.
Gazetari Flavio Qarri theksoi se ishte një rast flagrant, ku “numri dy i shtetit”, akuzohet se “ka vjedhur dhe ka ruajtur lekët si skifter”, madje duke u përshkruar se “ka hyrë nga dritarja” për të marrë çfarë të gjente. Megjithatë, në vend që debati publik të përqendrohej te krimi i pretenduar, ai është devijuar drejt çështjeve procedurale, siç është interpretimi i nenit 103 të Kushtetutës dhe nëse SPAK-ut i duhej apo jo autorizim nga Kuvendi për të vepruar. Kjo strategji, sipas tij, krijon një “kakofoni të organizuar” që e bën të pamundur për publikun të kuptojë thelbin e problemit dhe shërben si mburojë për zyrtarët e përfshirë.
Gjithashtu, u argumentua se mbrojtja publike që kryeministri Rama po i bën ministres së tij në aferën e fundit korrptive për të cilën është pezulluar nga gjykata, ndryshe nga rastet e mëparshme kur i ka “lëshuar” ministrat drejt drejtësisë, është një shenjë e qartë se ai ndodhet “në hall të madh”.
Debati:
Qarri: Teza që po artikulohet është, këta që rrinë me Berishën janë injorantë të shëmtuar dhe të palarë dhe këta që ishin te Salianji, këta durrsakët te Salianji, ishin të gjithë top modelat e shkolluar. Ishin nga Harvardi te kopertina e Vogut. Po asnjëra dhe as tjetra nuk meritojnë të paragjykohen në opinionin tim. Jo unë paragjykoj skemën zotëri. Unë s'po paragjykoj njerëzit, po paragjykoj skemën e komunikimit. Dhe ti e di po aq mirë sa unë që ne jetojmë në një vend që është rast studimor për centralizimin e komunikimit vertikal që vjen nga mazhoranca. Kaq, na lejo t'ia themi publikut. Ka një përpjekje shumë të madhe që ne ta informojmë publikun dhe të çajmë mes gjithë kakofonisë kaotike, pseudokaotike, të organizuar që ka.
Diskutimi:
O zotëri, sa kemi pa folur ne sa ka vjedhur Belinda? Asnjë nuk diskuton. I gjithë diskutimi është neni 103, fraksion 3, imuniteti i ministrit është i njëjtë me atë të deputetit, a mundet ta arrestojnë, a mundet ta pezullojë gjykata. Kaq po flasim ne. Dhe nuk po flet asnjë, o vëlla, a ka, a ka vjedhur dhe a ka, domethënë, që ka vjedhur e dimë të gjithë. Fatmirësisht kemi rënë në paqe si shoqëri me këtë. Pyetja është, a ka një reagim kjo qeveri, kjo parti, ky kryeministër me faktin që numri dy i shtetit ka vjedhur, ka rruajtur lekët si skifter, ka hyrë nga dritarja ditën dhe jo natën, dhe ka marrë çfarë ka gjetur aty. A kemi ne si shoqëri një arsyetim ndaj kësaj? Jo, merremi ne, a ka të drejtë SPAK-u dhe GJKKO-ja ta pezullojë apo duhet të kishte kërkuar imunitetin nga parlamenti. Jo, kjo nuk është diskutim. Dhe mbi të gjitha ky nuk është thelbi i diskutimit dhe i problemeve që ka Shqipëria në 2025-ën. Thelbi është, o zotëri, kemi një njeri aty që vjedh dhe përdor dhe stafin e tij për të vjedhur. Si e bllokojmë? Kaq është pyetja.