Rasti Balluku/ Bushati: Rama shmangu përgjegjësinë politike... SPAK nuk po ndjek më skenarin e vjetër

Në studion e ‘Task forcë, në Syri TV, juristja Endira Bushati deklaroi se masa e pezullimit të kërkuar fillimisht për Belinda Ballukun ka qenë “tepër e butë”, duke i dhënë, sipas saj, kohë kryeministrit Edi Rama për të ndërhyrë dhe për ta larguar vetë nga detyra.

Bushati theksoi se Rama nuk e mori këtë hap dhe se, sipas saj, Prokuroria ishte e vetëdijshme se Kuvendi nuk do të jepte autorizim. Sipas Bushatit, mënyra se si po trajtohet rasti Balluku tregon se SPAK ka ndryshuar qasje dhe se kryeministri ka frikë nga masat që mund të pasojnë.

Endira Bushati: Momentin kur kanë kërkuar masën e pezullimit dhe e kanë vendosur atë, i kanë lënë një kohë, një hapësirë kohore Edi Ramës për ta hequr. Pra, në këndvështrimin tim, masa e kërkuar ndaj Ballukut ka qenë e butë. Po të shohim për shifrën që bëhet fjalë, për abuzimet, për rastet që po i hetohen përditë e më shumë Ballukut, masa e pezullimit nga detyra ka qenë një masë e butë, në kuptimin e masave të të sigurimit. I la një farë kohe për të reflektuar, për të thënë që hiqe. Nuk desh ta hiqte dhe tani bëri këtë veprim. Pse e bëri këtë? Mund t'i bënte kërkesë dhe Kuvendit për autorizim, por me sa duket, edhe vetë organi i Prokurorisë ka qenë i qartë që ai autorizim nuk do jepej.

Këto fjalitë me, jo po na prishet marrëveshja e linjës ajrore me Kanadanë e këto...Këto janë qesharake, domethënë. Kjo është për t'i thënë publikut që, shiko se çfarë po na bën ne SPAK-u, po na lënë pa qeverisur

Pyetja këtu është e thjeshtë. Çfarë kërkon Rama? Rama, në vend që të japë njëherë shpjegim në kuptimin e përgjegjësisë politike, ore na thuaj ti si kryeministër para Kuvendit, se është kërkuar një interpelancë dhe u refuzua. Me arsyetimin juridik që çështja është në proces edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ky kryeministër e ndjen një lloj përgjegjësie për t'i thënë, jo, nuk qëndron abuzimi, ose, prit se do ta shoh unë më përpara. Të bëjë një transparencë për akuzën njëherë në aspektin politik, ta lëmë aspektin juridik. Ky nuk merret me këtë. Ky e fut çështjen në hulli procedurale, na bën si, si Montesquieu modern, duke na folur për ndarjen e pushteteve e të tjera e të tjera, dhe për më tepër, ai në vetë ka bërë atë që unë e cilësoj në fakt grusht shteti, kërkesën për interpretim që i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Çështja, me sa duket, është e qartë. Ai ka frikën se SPAK dhe GJKKO-ja mund nesër të marrë një masë.

Tani, nga vjen guximi unë kam një ide timen që, deri tani SPAK ka vepruar, që i ka lënë kohë Ramës ta heqë ministrin apo kryetarin e bashkisë apo ku ka qenë zyrtari i radhës, dhe pastaj i ka komunikuar akuzat apo ka nisur procedurën. Këtu është e qartë që me Belinda Ballukun diçka ka ndryshuar, domethënë, ka ndryshuar diçka. Pra nuk, nuk zgjodhi të njëjtën rrugë, që për t'i thënë që hiqe dhe pastaj bëhemi ne.