Si një softuer u bë shtylla kryesore e deportimeve në SHBA

Për vite me radhë, Alex Karp, CEO i Palantir, deklaronte se kompania e tij e teknologjisë së të dhënave ishte e angazhuar në “vlera progresive” dhe se kishte refuzuar kontrata që cenonin minoritetet apo parimet etike.

Edhe pse Palantir bashkëpunonte gjerësisht me agjencitë federale, Karp këmbëngulte se nuk do të lejonte përdorimin e mjeteve të saj për të ndjekur gjerësisht emigrantët në SHBA.

Ky premtim nuk vlen më.

Sipas kontratave federale dhe burimeve me njohuri për projektin, softueri më i ri i Palantir, i quajtur Immigration OS, po ndihmon Shërbimin e Doganave dhe Imigracionit (ICE) të gjurmojë më shpejt emigrantët pa dokumente dhe të përshpejtojë deportimet.

Sistemi është kthyer në një komponent kyç në fushatën e administratës Trump për deportime masive, një fushatë që ditët e fundit është intensifikuar me masa të reja, përfshirë pezullimin e përkohshëm të aplikimeve nga shtetasit e 19 vendeve.

Karp, i cili dikur e quante veten demokrat të bindur dhe kritikonte hapur Donald Trump-in, tani ka mbrojtur publikisht politikën e tij të emigracionit në mandatin e dytë presidencial. Duke e përshkruar Palantir si “plotësisht anti-woke”, ai ka lavdëruar goditjen e qeverisë ndaj emigrantëve, duke e zhvendosur kompaninë në qendër të një prej çështjeve më polarizuese të SHBA-ve.

Në një deklaratë për Washington Post, Karp tha se qëndrimi i tij i ashpër ndaj emigracionit është një vijimësi e bindjeve të tij të vjetra “progresive”. Sipas tij, emigracioni i pakufizuar në Evropë ka shkaktuar “çrregullime masive sociale” dhe ka ulur pagat e punëtorëve.

Më 11 prill, ICE i dha Palantir-it një kontratë prej 30 milionë dollarësh për ndërtimin e Immigration Lifecycle Operating System, një platformë që synon të ndihmojë në identifikimin dhe arrestimin e personave pa dokumente sipas prioriteteve të agjencisë, të ulë kostot e deportimit dhe të ndjekë pothuajse në kohë reale largimin vullnetar nga vendi. Kontrata u rinovua në shtator, duke arritur vlerën totale rreth 60 milionë dollarë.

ICE tha se Palantir ishte “i vetmi ofrues” që mund të ndërtonte sistemin pa vonesa të papranueshme, duke e përjashtuar procesin konkurrues të tenderimit. DHA, ndërkohë, refuzoi të japë detaje mbi mënyrën si sistemi mbledh të dhënat, çfarë agjencish përfshin apo cilat janë garancitë kundër gabimeve dhe mbikëqyrjes së tepruar.

Immigration OS është integruar në fushatën e ICE-së për të identifikuar të ashtuquajturit “Më të Këqinjtë e Më të Këqinjve”, një listë që agjencia thotë se përfshin persona pa dokumente që dyshohet se kanë kryer krime të rënda. Nuk dihet nëse sistemi i Palantir ka qenë i përfshirë në përpilimin e listave të tilla.

Brenda Palantir-it, projekti ka ngjallur debat. Disa punonjës, sipas burimeve, kanë ngritur shqetësime për përdorimin e sistemit dhe kanë diskutuar mundësinë e ndërprerjes së kontratës nëse ICE-ja e përdor teknologjinë për veprime që shkelin parimet e të drejtave civile. Disa kanë dhënë dorëheqjen për shkak të drejtimit të ri të kompanisë.

Në publik, kritikat janë shtuar. Bashkëthemeluesi i Y Combinator, Paul Graham, e akuzoi Palantir-in se po ndërton “infrastrukturën e një shteti policor”. 13 ish-punonjës publikuan një letër të hapur duke akuzuar drejtimin e kompanisë për “normalizimin e autoritarizmit”.

Ndërkohë, udhëheqja e Palantir-it mbron projektin duke thënë se klima politike për emigracionin ka ndryshuar dhe se urdhrat e rinj të Trump-it e kanë bërë ICE-në të zhvendosë prioritetet drejt zbatimit të ligjeve të imigracionit.

Palantir është kritikuar prej kohësh nga aktivistët e të drejtave civile për bashkëpunimet e saj me Pentagonin, CIA-n dhe ICE-në. Megjithatë, deri tani kompania kishte mbajtur distancë nga operacionet e drejtpërdrejta të deportimit, duke punuar kryesisht me njësi kundër terrorizmit dhe trafikimit të njerëzve.

Ky ndryshim shënon një kthesë të fortë.

Kompania ka ndryshuar edhe kodin e brendshëm të etikës, duke hequr referencat për luftimin e paragjykimeve dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël. Ndryshimet u bënë pas urdhrave ekzekutivë të Trump për kufizimin e programeve të diversitetit tek kontraktorët federalë.

Biografët e Karp thonë se qëndrimet e tij janë zhvendosur djathtas vitet e fundit, veçanërisht pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe mbështetjes së fortë të tij për Izraelin.

Në një letër drejtuar Amnesty International këtë verë, Palantir tha se, megjithëse është e vetëdijshme për rreziqet e shkeljeve të të drejtave të njeriut, roli i saj është të respektojë ligjet dhe të shërbejë si kontraktor federal, jo të përcaktojë politikat e qeverisë amerikane.