SYRI TV/ PS rrëzon kërkesën e PD për interpelancë me kryeministrin për Ballkun, Bardhi: Rama i fshihet Kuvendit
Me forcën e kartonëve, Partia Socialiste rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, për ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me pezullimin e Belinda Ballukut. Megjithëse komenton prej ditësh këtë çështje në Facebook, Kryeministri refuzoi të japë llogari në Kuvend, ndërsa Partia Demokratike kërkoi shkarkimin e Ballukut dhe e akuzoi Kryeministrin se po i bën presion institucioneve të drejtësisë, pasi është i përfshirë në aferën e tunelit të Llogarasë.
Nga SYRI TV
Megjithëse çdo ditë po komenton pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe po u dërgon mesazhe institucioneve të drejtësisë, Kryeministri Edi Rama refuzoi të përballet në Kuvend me deputetët e opozitës, për ankimimin që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Partia Socialiste rrëzoi me forcën e kartonëve kërkesën e grupit parlamentar të PD-së për një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me ankimin që i ka bërë Kushtetueses, ku kërkon të cilësohet i paligjshëm pezullimi i Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në dy tendera me vlerë 210 mln euro. Por Kryeministri as nuk denjoi të shkonte në Parlament.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, e justifikoi rrëzimin e interpelancës me pretendimin se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Por kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se duke bërë ankimin për këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, Kryeministri është bërë bashkë i pandehur.
Bardhi u ndal te mbrojtja politike që Rama po i bën Ballukut, duke keqpërdorur edhe opinionet e Komisionit të Venecias.
Ndërsa një ditë më parë, Kongresi Amerikan ngriti alarmin për kapjen dhe dështimin e reformës në drejtësi, duke iu referuar stokut të lartë të dosjeve dhe arrestimit të liderëve të opozitës, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, u kundërpërgjigj nga Kuvendi.