SYRI TV/ Ekonomia në vend me probleme të rënda, Preçi: Ka probleme strukturore

Ekonomia në vend po mbahet nga pagat e administratës, duke shfaqur një model të ngjashëm me atë të kohës së diktaturës. Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, kjo strukturë ekonomike përmban rreziqe që cenojnë seriozisht të ardhmen.

Situata ekonomike në vend po shfaq probleme, sipas statistikave të INSTAT, të cilat evidentojnë se ekonomia po mbahet kryesisht nga pagat e administratës. Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, problemi nis në strukturën e ekonomisë së vendit.

Sa i përket parashikimeve për buxhetin e vitit 2026, eksperti i ekonomisë shprehet se prioritetet e shpallura për të thithur më shumë investime në fakt nuk përkrahen, dhe pavarësisht rritjeve që bëhen për administratën dhe pensionistët, ata sërish po jetojnë më keq për shkak të rritjes së çmimeve.

Ekonomia shqiptare ka ruajtur një rritje rreth 4%, por në vend që të mbështetet te prodhimi, ndërtimi, tregtia, shërbimet apo industria, ajo është mbajtur kryesisht nga efekti fiskal i taksave neto dhe shpenzimet publike për pagat e administratës. Ironikisht, fakti që shteti po mban mbi shpinë më shumë se gjysmën e rritjes ekonomike na rikthen te kujtimet e ekonomisë së diktaturës, ku rritja mbështetej te shteti dhe jo te prodhimi real.