‘Qeveri e turpit e grup i strukturuar kriminal’, Hoti - PS-së: Po mbroni vjedhjen madhështore të Ballukut!
Akuza të rënda ka adresuar në drejtim të qeverisë nga foltorja e Kuvendit, ligjvënësja demokrate, Elda Hoti, duke e cilësuar maxhorancën, si një "qeveri e turpit" dhe një "grup i strukturuar kriminal". Në fjalimin e mbajtur në seancë plenare, Hoti denoncoi një seri skandalesh dhe një diskriminimin e hapur ndaj veriut të vendit, duke paralajmëruar se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.
Në qendër të kritikave u vendos afera e inceneratorëve, e cilësuar si "maja e ajsbergut" me një vlerë prej mbi 400 milionë eurosh, duke vijuar me akuzat ndaj skandaleve të pandërprera që lidhen me zyrtarë të lartë të qeverisë, siç është rasti i ministres Belinda Balluku, për të cilën u përmendën shifra prej 50, 80 dhe 260 milionë eurosh për projekte të ndryshme.
Buxheti i vitit të ardhshëm u kritikua ashpër nga deputetja e PD, si një dëshmi se qeveria nuk i ka sytë te qytetarët, por te "xhepat e saj". Sipas Hotit, ky buxhet tregon qartë një diskriminim ndaj veriut të Shqipërisë.
Ligjvënësja demokrate e përmbylli fjalimin me thirrjen drejtuar qeverisë për të ndryshuar kurs, duke paralajmëruar se çdo anëtar i saj do të japë llogari para qytetarëve shqiptarë dhe para drejtësisë, "herët apo vonë".
Skandali i inceneratorëve me mbi 400 milionë euro është vetëm maja e ajsbergut. Pastaj janë skandalet e pafundme të të pandehurës Belinda Balluku. 50 milionë euro këtu, 80 milionë euro atje, 260 milionë euro për një rrugë tjetër e kush e di sa të tjera që akoma nuk kanë dalë në dritë. Është skandali me fondet e IPARD, të cilat ju i vodhët, duke lënë fermerët në mes të katër rrugëve. Dhe tani vjen buxheti i vitit të ardhshëm, i cili nga fillimi në fund e tregon qartë se sytë nuk i keni te qytetarët, por te xhepat tuaj. Dhe duke qenë këtu, nuk mund të mos e përmend faktin se po e diskriminoni Veriun. Këtë e tregon e bardha mbi të zezë, buxheti që keni miratuar në parim.
Zero investime për qytetarët e qarkut të Lezhës. Prandaj u përmbytën në dimër dhe u dogjën në verë. Zero projekte për Kurbinin, zero projekte për Mirditën dhe zero projekte për Lezhën. Po sjell një shembull. Banorët e Mirditës kërkojnë një rrugë jetike për zhvillimin. Rrugën që lidh Rrëshenin me Lurën, dhe në krahun tjetër, Rrëshenin me Klosin dhe Burrelin. Ajo rrugë është e shkatërruar, është e pakalueshme. Banorët protestojnë, bizneset ankohen, por kush t'i dëgjojë? S'ka kush i dëgjon, sepse kjo qeveri dëgjon vetëm klientët e saj. Po t'i dëgjonte qytetarët dhe po të funksiononte për qytetarët, Kryeministri nuk do të bëhej avokati i hajdutërisë të të pandehurës Belinda Balluku dhe ju nuk do të ktheheshit në noterë të akteve korruptive.
Por kjo është një qeveri që bën biznes me pushtetin, një qeveri që ka shitur dhe vazhdon të shesë çdo ditë pasuritë e shqiptarëve. Në Kurbin rrugët e shkatërruara po i asfaltojnë vetë qytetarët, sepse bashkia i ka braktisur. Po ju jap dhe një shembull tjetër. Miniera e Spaçit, pasuria publike, ju ua dhatë kompanive të huaja, të cilat keqtrajtojnë punëtorët shqiptarë, u mohojnë punën, djersën dhe gjakun. Si u sollët ju me minatorët e Spaçit, të cilët protestuan për të drejtat e tyre? I kërcënuat. Në vend që t'i mbronit, i poshtëruat. Në vend që të ishit në krahun e tyre, ju dolët kundër.
Dhe i latë në mëshirë të fatit, duke i lënë në mes të katër rrugëve, pa asnjë zgjidhje, siç keni lënë çdo qytetar shqiptar të ndershëm në këtë vend, dhe duke i detyruar të braktisin vendin e tyre. Ky është realiteti. Ju jeni një qeveri turpi, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq, ju jeni një grup i strukturuar kriminal. Prandaj, nga kjo foltore, ju bëj një thirrje që të ndryshoni kurs, sepse secili prej jush do të japë llogari para qytetarëve shqiptarë, secili prej jush do të japë llogari para drejtësisë, qoftë herët apo vonë. Faleminderit.