'Devolli në asnjë investim', Nallbati - deputetit socialist: Dil në shesh me devollinjt, të tregojnë kush gënjen!

Deputeti i opozitës, Bledion Nallbati, akuzoi qeverinë dhe kolegun socialist për braktisjen e Devollit dhe mungesën totale të investimeve në zonë.

Nallbati deklaroi se devollinjtë kujtohen vetëm gjatë fushatave, ndërsa më pas “fshihen nga harta” e projekteve strategjike, duke theksuar se Devolli nuk figuron askund në listën e investimeve prej 9.2 miliardë euro deri në vitin 2026.

Duke e çuar debatin në një tjetër nivel, Nallbati e sfidoi publikisht deputetin socialist që të dalin në sheshin e Bilishtit për një debat përballë qytetarëve: “T’i dëgjojmë devollinjtë vetë, të shohim kë besojnë: të vërtetën time apo mashtrimet tuaja.”

Ai solli shembuj konkretë nga situata dramatike në zonë shkollat e boshatisura, bujqësia e degraduar dhe premtimet 13-vjeçare të pambajtura si rruga e Vidohovës ndërsa kolegu socialist iu kundërpërgjigj me tone ironike, duke i kërkuar të “shikojë veten në pasqyrë”.

Fjala e tij:

Devollinjtë, në çdo fushatë, i kujtoni dhe i kërkoni, por sapo merrni votat, nuk i konsideroni asnjë moment. Por që ta dish mirë ti, djalë, nuk janë këto ato që të turpërojnë e të çnderojnë ty kjo që po them unë. Ajo që të turpëron dhe të çnderon është veprimi që kanë bërë këta me ty. Edhe pse je i ulur në atë karrige, nuk të konsiderojnë aspak. Edhe pse përfaqëson Devollin, Devolli nuk figuron fare në listën e investimeve prej 9.2 miliardë eurosh të buxhetit të shtetit për vitin 2026.

Po nëse pretendon se është e kundërta, unë të kam bërë një ftesë gjatë fushatës: unë, ti, ky këtu sipër, ai Guaku i bashkisë të ulemi në sheshin e qytetit dhe të bëjmë një debat. Nuk patët kurajo asnjëri nga ju. Të ftoj tani përsëri: ty, këtë këtu sipër që shkoi shtëpi më shtëpi në Devoll, dhe atë Guakun që keni në bashki. Ulemi në qendër të qytetit të Bilishtit, ftojmë të gjithë qytetarët dhe e bëjmë debatin aty. Dhe shohim: qëndrojnë ato që them unë, apo ato që thoni ju?

Qëndron kjo që them unë, që shkollat e fshatrave të Devollit kanë katandisur pa asnjë nxënës, dhe aty ku ka, bëhet mësim kolektiv? Qëndron kjo që bujqësia ka vite që është shkatërruar e degraduar nga mosvëmendja juaj? Apo qëndron ajo që thoni ju, që bujqësia në Devoll paska ecur me ritme galopante? Qëndrojnë këto që them unë për korrupsionin, apo qëndrojnë ato llafet tuaja? Qëndrojnë ato që themi ne për Belindën, për vrimat e Belindës nëpër tunele, apo ato që pretendoni ju?

E pra, djalë i mirë djalë je i mirë, po si deputet mesa duket nuk e ke takatin për këtë detyrë që ke marrë përsipërdo ta dish mirë se ke përgjegjësinë të përfaqësosh qytetarët e Devollit. Dhe për sa kohë ti të rrish atje, mua do të më kesh përballë ty, ndonjë tjetër, këdo tjetër  për t’ju nxjerrë fytyrën ashtu siç e keni dhe për t’ju thënë të vërtetën në sy.

Iku një mandat katërvjeçar. Kishim kolegun tënd që s’pati kurajon të fliste as për rrugën e fshatit të vet. E ka premtuar ky zotëria këtu sipër. Ka vajtur derë më derë në Vidohovë: “Do ta bëjmë rrugën e Vidohovës.” Ka 13 vite, nuk ka nisur akoma ajo rrugë. E premtuat edhe këtë vit. Prapë në tabelën e investimeve nuk figuronte. Çfarë duhet të themi? Që devollinjtë duhet të jetojnë me ëndrrat dhe mashtrimet që ju servirni? Kështu paskan “shikuar gjërat politikisht”?

Jo, djalë, jo. Shqiptarët duhet ta dinë mirë, devollinjtë duhet ta dinë mirë, që ju nuk jeni gjë tjetër veç një grup njerëzish që mashtroni sa herë ka zgjedhje, që premtoni dhe hapni krahun me premtime pafund, që përdorni çdo mjet për t’i gënjyer e manipuluar ata njerëz dhe, në fund, ua hiqni vizën dhe ua fshini emrin. Por unë do jem këtu dhe do t’ua them sa herë të jetë nevoja, sa herë të kem mundësi, të vërtetat në sy dhe do t’ua përplas në fytyrë çdo ditë.